Siguria nën/mbi rrënojat e rendit të vjetër - Gazeta Express
string(43) "siguria-nen-mbi-rrenojat-e-rendit-te-vjeter"

OP/ED

Gazeta Express

19/02/2026 8:58

Siguria nën/mbi rrënojat e rendit të vjetër

OP/ED

Gazeta Express

19/02/2026 8:58

Shkruan: Gjeneral Piro Ahmetaj

Konferenca e 62-të e Sigurisë, që u zhvillua fundjavën e kaluar në Mynih, Gjermani, jo vetëm u ndoq me interes të shtuar, por dhe vijon të mbetet në “top lajmet” dhe analizave për kancelaritë, institutet dhe personalitetet në Uashington, Bruksel, Londër, Berlin, Pekin, Moskë etj. Me kapacitetin e “Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin dhe marrëdhëniet me SHBA/NATO”, po paraqes një përmbledhje rreth rrethanave, diskutimeve dhe mesazheve me peshë gjeopolitike që u përcollën nga Mynihu:

Për herë të parë konferenca është mbajtur në Mynih (1963), ndërsa për shkak të ndarjes në kampe armiqësore (Varshavë – NATO) deri në vitet ’90, merrnin pjesë më pak se 100 pjesëmarrës. Gjithsesi MSC ishte projektuar si ngjarje e përvitshme që u jepte mundësi udhëheqësve nga vendet e NATO/BE dhe SHBA të ndanin këndvështrime për: “përballjen me rreziqet e sigurisë kolektive dhe ato globale”.

Pas viteve ’90, kjo Konferencë jo vetëm është zgjeruar, por edhe është “institucionalizuar” si një nga forumet më të rëndësishme për komunitetin e sigurisë në botë. Motoja shumë e gjetur për MSC-2026: “Under Destruction”, e shqipëruar: “Nën dhe përtej rrënojave të rendit të vjetër global të sigurisë”. Edhe pse u zhvillua në një sfond paqëndrueshmërie gjeopolitike, konfliktesh të përshkallëzuara dhe pikëpyetjesh kritike mbi të ardhmen e rendit ndërkombëtar të sigurisë, konferenca u dominua nga atmosferë mirëkuptimi, ose e quajtur: “Rregulli i Mynih-ut=mos jepni leksione, mos e injoroni por ndërveproni me njëri-tjetrin”!

Këtë vit morën pjesë 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe rreth 1000 ministra, diplomatë, shkencëtarë, gjeneralë, biznesmenë, ekspert etj.. Ndër pjesëmarrësit e shquar përmendim Kancelarin gjerman, Sekretarin e Shtetit Amerikan, Presidenten e KE Ursula von der Leyen, Kryeministrin e UK, Presidentin ukrainas, etj. 5 çështjet thelbësore të agjendës: (1) “Rendi global i sigurisë përballë rivalitetit mes fuqive të mëdha”; (2) “Marrëdhëniet transatlantike në raport me përqasjen e SHBA/Trump”; (3) “Mbrojtja kolektive/NATO dhe autonomia ushtarake evropiane”; (4) “Luftërat në Ukrainë, Lindjen e Mesme si dhe pasojat humanitare”; (5) “Kërcënimet kibernetike, qeverisja e inteligjencës artificiale dhe siguria energjetike”.

Ashtu siç pritej, vëmendje kryesore mori fjalimi i Sekretarit Marco Rubio, i cili, pasi kritikoi ashpër rendin e vjetër të sigurisë, konfirmoi edhe më fort vendosmërinë e Presidentit Trump: “SHBA-të nuk do t’i marrin askujt leje (përfshi OKB-së) për të përdorur fuqinë ushtarake ndaj çdo vendi që ekspozon kërcënim për integritetin dhe standardet e jetesës së popullit amerikan”. Më tej shtoi se, “paqja nëpërmjet forcës” shërben edhe si garanci shtesë për mbrojtjen e 32 vendeve të NATO-s (Neni 5). Ndoshta për të shtensionuar homologët, theksoi se: “Jemi pjesë e një qytetërimi, ndaj SHBA mbetet e interesuar për Evropë më të fortë”, duke nënvizuar se, “agresioni rus ndaj Ukrainës si dhe ekspansioni i Kinës mbeten kërcënim serioz për rendin ndërkombëtar dhe vlerat perëndimore”. Po ashtu, përsëriti kërkesën për rritjen deri në 5% të buxhetit nga vendet e NATO-s, si dhe rikonfirmoi vendosmërinë e SHBA-ve për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë: “End the Ukraine war once and for all”, ose: “fund njëherë e përgjithmonë luftës në Ukrainë”.

Përtej “ankthit nga tërmeti/Trump në politikën e jashtme amerikane”, fjalimet, ose qëndrimet e krerëve të shteteve evropiane, si të UK, Francës, Italisë etj., mund të përmblidhen përmes gjetjeve të ftohta dhe frymës së mirëkuptimit të Kancelarit gjerman Friderich Merz: “Rendi global i sigurisë nuk ekziston më, ndaj mbetet kritike forcimi i kohezionit euroatlantik si dhe vijimi i mbështetjes së pakushtëzuar për fitoren e Ukrainës”. Nga ana tjetër, u diskutua hapur edhe për: “autonomi më të madhe strategjike politike, ekonomike, ushtarake dhe teknologjike (ose Berlinin+ më të avancuar), projekt që gjithsesi nuk e konkurron, por e komplementon fuqinë ushtarake të SHBA/ NATO-s”. Po ashtu, u prezantua edhe ngritja e “Ukraine House”, çka demonstron edhe vendosmërinë e vendeve të BE-së deri në gjunjëzimin e Rusisë në Ukrainë.

Duke falënderuar për mbështetjen e SHBA dhe perëndimit, Presidenti Zelenskyy foli për: “Intensitetin e luftës; refuzoi lëshimet territoriale (=kurorëzim i pushtuesit/Putinit); bëri thirrje për mbështetjen (urgjente) ajrore, për garanci afatgjata, monitorim gjithëpërfshirës etj.”.

Në përmbledhje, në MSC-26 u demonstrua kriza e thellë e rendit global, por edhe përpjekjet serioze të udhëheqësve euroatlantikë për të shkundur, zgjuar dhe zhvilluar jo vetëm një lidership me vizion dhe vullnet të fortë, por edhe përgjegjshmëri të lartë dhe projekte për modernizimin e fuqisë ushtarake, me qëllim përballimin e rreziqeve ndaj sigurisë dhe stabilitetit demokratik, përfshi dhe përtej hapësirës euroatlantike. Nga kjo konferencë mund të nxjerrim dhe adresojmë “5 mësime dhe 5 mesazhe strategjike”, konkretisht:

Së pari, “NATO/BE: të dënuara” për të forcuar më tej kohezionin dhe besimin reciprok mes aleancave, vendeve dhe vlerave euroatlantike, duke mbështetur pa asnjë kompromis Ukrainën deri në fitoren ndaj Rusisë, por edhe për përmirësimin e fuqisë ushtarake (përfshi deterrence/aftësitë shkurajuese) në mbrojtje të tërësisë territoriale të 32 vendeve anëtare, si dhe interesave gjeopolitike të NATO-s/BE-së”.

Së dyti, mesazhe Euroatlantike ndaj Beogradit zyrtar: “të mos keqpërdoret për axhendën Moskës dhe Pekinit në rajon; të mos armatoset kot stër koti (deri në dhëmbë) me MiG-29, raketa, tanke, dronë rusë etj.; të mos frymëzojë grupet kriminale në veriun e Kosovës, si dhe të mos guxojë të kërcënojë ushtarakisht sovranitetin e Kosovës, status quo-në si dhe interesat gjeopolitike të SHBA/ NATO-s në rajon”!

Së treti: “Përveçse të demonstrojë solidaritet për angazhimet dhe projektet në interes të sigurisë kolektive (Neni 5) si dhe në mbështetje të Ukrainës, RSH do duhet të promovojë edhe peshën që mbart në partneritetin me SHBA/NATO, si dhe rolin lider në projektet e përbashkëta si dhe procesin e integrimit euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Me këtë rast, sigurisht meriton të riduartrokiten pjesëmarrja e RSH/Kosovës si “bashkëthemeluese të Bordit Trump të Paqes, rritja e buxhetit 2026, marrëveshja mes Kroacisë, Kosovës dhe RSH-së në fushën e mbrojtjes; ndërtimi i Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë; angazhimi i RSH-së për Korridorin 8; trajtimi i ushtarakëve si dhe përmbushja e detyrimeve në NATO”.

Së katërti, prioritet nr.1 mbetet: “Modernizimi konceptit, strukturave, kapaciteteve, balancave demokratike të pushteteve, si dhe forcimi bashkëpunimin strategjik me SHBA/NATO”. Në këto përpjekje nuk vlejnë: “as privatizimi i dashurisë për mëmëdhenë dhe as i agjendës euroatlantike; as gajasja me opozitën/kompaninë private të falimentuar, të neveritur dhe të refuzuar përgjithmonë nga shqiptarë si dhe as shpërdorimi i institucioneve kushtetuese si infermieri (pa)shërimi nga sëmundja ballkanike e mbipushtetit”, por vetëm dashuria për vendin, vizioni, përulësia dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave mbarëkombëtare, besimi në vlerat demokratike, si dhe “bekimi” nga/ndaj partneritetit strategjik me SHBA-të.

Së fundmi, por mbi të gjitha, shpresoj që mesazhet (USA) e kësaj konference t’ju shërbejnë elitave mendjehapura në NATO/BE, përfshi RSH/Kosovën, për të risjellë në kujtesë thirrjen ulëritëse: “Njerëz, qëndroni vigjilentë; paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme (as nga SHBA)”, si dhe mesazhin e mençur të Presidentit Kennedy 62 vjet më parë, pra në hapjen e Konferencës së I të Mynihut: “T’i hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”! Thënë këto, na duhet të besojmë dhe të promovojmë fort se jo lufta, por paqja në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Ballkanin Perëndimor, si dhe në mbarë globin, mbetet shpresa dhe misioni i vetëm i njerëzimit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement