Ish-sulmuesi i famshëm Thierry Henry, sot analist në “CBS Sports”, ka dalë në mbështetje të sulmuesit Vinícius Júnior pas episodit të dyshuar të racizmit gjatë ndeshjes Benfica – Real Madrid në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja përfundoi 1-0 për madrilenët, por u karakterizua nga një incident i rëndë ku Vinícius pretendoi se ai ishte fyer me fjalë raciste nga lojtari kundërshtar Gianluca Prestianni, duke çuar në aktivizimin e protokollit anti-racizëm të UEFA-s dhe ndërprerjen e takimit për rreth 10 minuta.
Henry u shpreh se ai vetë ka përjetuar fyerje raciste në karrierën e tij, dhe se për këtë arsye ai “e kupton plotësisht” reagimin e Vinícius, përcjell “Gazeta Express”.
“Më ka ndodhur edhe mua gjatë karrierës… Ndonjëherë ndihesh i vetëm, nuk mund ta fshehim këtë. Ne nuk duhet të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë.”
Ish-futbollisti i Juventusit, Arsenalit dhe Barcelonës theksoi se fakti që lojtari Prestianni e mbuloi gojën me fanellë ndërsa fliste, i shton dyshimet dhe e bën më të rëndë situatën — duke nënkuptuar se ai mund të ketë tentuar ta fshehë atë që e tha.
Henry gjithashtu e kritikoi tendencën për ta minimizuar çështjen, duke bërë thirrje që të mos injorohen këto momente dhe se duhet një qasje më serioze ndaj racizmit në futboll. /Gazeta Express