Addis Abeba, kryeqyteti i Etiopisë, ishte të premten qendra e diplomacisë euro-afrikane duke pritur Samitin e dytë Itali-Afrikë, të parin të organizuar në kontinent, si dhe Samitin e Bashkimit Afrikan, me kryeministren italiane, Giorgia Meloni si të ftuar nderi.
Shkruan: Valbona Zeneli
Një takim i dyfishtë që konfirmon një prioritet strategjik: për Italinë, kufirin mesdhetar te Europës, Afrika është një partner thelbësor në çështjet e sigurisë, energjisë dhe migracionit. Plani Mattei është instrumenti kryesor për të rikalibruar këtë partneritet. Siç e theksoi edhe Meloni në fjalimin e saj, nuk bëhet fjalë për një kremtim simbolik, por për një mundësi konkrete “për të dialoguar me Afrikën, në Afrikë” dhe për të revolucionarizuar mënyrën se si Italia e sheh dhe vepron në këtë kontinent.
Përse është e rëndësishme Afrika? Sepse ndodhet në kryqëzimin e transformimeve të mëdha globale: rrugëve energjetike, mineraleve kritike, rritjes demografike dhe konkurrencës mes fuqive të mëdha. Me 65% të tokave të punueshme bujqësore dhe popullsinë më të re në botë, ku mbi 60% e popullsisë është nën moshën 25 vjeç, dhe që pritet të arrijë në 2,5 miliardë deri në vitin 2050, kontinenti është qendror për sigurinë ushqimore, tranzicionin energjetik dhe rritjen globale. Megjithatë, hendeku mbetet i dukshëm: ndonëse përfaqëson 19% të popullsisë botërore, Afrika gjeneron vetëm 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global. Pikërisht në këtë diferencë mes potencialit dhe realitetit luhet edhe sfida e viteve të ardhshme.
PËRPARËSI STRATEGJIKE
Me qeverinë ‘Meloni’, Afrika është kthyer në përparësi strategjike falë Planit Mattei prej 5,5 miliardë eurosh, i nisur në vitin 2024. Më shumë se një njoftim i thjeshtë politik, plani përfaqëson një kornizë organike, atë që Decode39 e përkufizon si një arkitekturë strategjike koherente, e cila e ankoron politikën e jashtme italiane, sigurinë ekonomike dhe pozicionimin global të vendit. Gjatë presidencës italiane të G7-së, Roma e riktheu “krahun jugor” në qendër të axhendës europiane, në një moment kur pjesa më e madhe e Evropës ishte e përqendruar te lufta e Rusisë në Ukrainë, duke e lidhur dosjen afrikane me konkurrencën ndaj Kinës dhe Rusisë, si edhe duke kontribuar në miratimin e Strategjisë së parë të NATO-s për Krahun Jugor.
Instrumentet e sigurisë së Italisë në Afrikë kombinojnë misione trajnimi, dislokime detare dhe iniciativa për forcimin e kapaciteteve në Sahel, në Gjirin e Guinesë dhe në Bririn e Afrikës. Plani artikulohet në disa shtylla për të forcuar stabilitetin dhe rritjen ekonomike. Shifrat e shpjegojnë qartë peshën e sfidës: Bashkimi Europian shkëmben me Afrikën rreth 400 miliardë euro në vit, ndërsa Kina është sot partneri i parë tregtar i kontinentit me rreth 300 miliardë dollarë. Për Italinë, Afrika përfaqëson 12% të importeve dhe 6% të eksporteve. Por, loja vendimtare lidhet me mineralet kritike dhe tranzicionin energjetik. Nëse Europa dëshiron vërtet të implementojë procesin e dekarbonizimit, duhet të investojë në partneritete industriale që u mundësojnë vendeve afrikane të ngjiten në zinxhirin e vlerës, nga nxjerrja te prodhimi, të mbështetura nga kapital privat dhe infrastruktura. Pikërisht në këtë terren do të matet besueshmëria strategjike europiane në vitet e ardhshme. Mineralet kritike janë një nyje qendrore e Planit Mattei.
Në Samitin për Mineralet Kritike në Uashington, të mbajtur pak ditë më parë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani ritheksoi se partneritetet e përgjegjshme dhe të bazuara në infrastrukturë me prodhuesit afrikanë nuk janë një zgjedhje opsionale, por një kusht thelbësor për sigurinë ekonomike dhe autonominë strategjike të Perëndimit. Megjithatë, nyja mbetet infrastrukturore. Sipas Bankës Afrikane për Zhvillim, kontinenti ka nevojë për rreth 150 miliardë euro në vit për të mbuluar deficitin e tij infrastrukturor. Infrastruktura duhet të përbëjë shtyllën e angazhimit perëndimor ndaj Jugut Global, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke ofruar një alternativë ndaj modelit shtetëror të promovuar nga Kina. Korridori i Lobitos, me vlerë 5 miliardë dollarë, i dakordësuar në qershor 2025, do të modernizojë 1.300 km hekurudhë midis Zambias, RD Kongos dhe portit angolan, duke shkuar pikërisht në këtë drejtim. Me mbështetjen e Italisë (320 milionë euro), Bashkimit Europian (2 miliardë euro) dhe Shteteve të Bashkuara (2 miliardë dollarë), projekti e përkthen në praktikë qasjen e integruar të Planit Mattei, duke lidhur infrastrukturën, mineralet kritike dhe sigurinë ekonomike. Paralelisht, Roma ka punuar për ta përfshirë këtë vizion në një kornizë më të gjerë europiane, duke e harmonizuar Planin Mattei me Global Gateway-in prej 300 miliardë eurosh, nga të cilat 150 miliardë të destinuara për Afrikën, dhe duke u mbështetur në kompetencën e saj rajonale për të përcaktuar qasjen strategjike të BE-së ndaj Afrikës. Udhëtimi i Giorgia Melonit në Addis Abeba, menjëherë pas tërheqjes informale të BE-së, konfirmon vullnetin italian për ta bërë Afrikën një përparësi strukturore të axhendës evropiane.
Nuk është rastësi që Giorgia Meloni u paraqit në Afrikë e shoqëruar nga drejtuesit e kompanive kryesore italiane, duke dëshmuar se strategjia e qeverisë mbështetet në partneritete publiko-private dhe në praninë operacionale të grupeve si ‘Eni’, ‘Enel’, ‘Leonardo’, ‘Fincantieri’ dhe ‘Fondazione Med-Or’. Një linjë e përbashkët edhe me Gjermaninë: Friedrich Merz ka theksuar gjithashtu se politika ndaj Afrikës duhet të mbështetet në përfshirjen e drejtpërdrejtë të bizneseve private, duke e shoqëruar diplomacinë tradicionale me misione ekonomike të strukturuara. Një koordinim më i madh mes Romës dhe Berlinit mund ta shndërrojë këtë vizion të përbashkët në një strategji europiane më konkrete dhe më efektive. Politika afrikane, siguria dhe interesat ekonomike duhet të konvergojnë në një vizion të vetëm strategjik. Nëse mbështetet realisht nga projekte të besueshme dhe të koordinuara, Plani Mattei mund të forcojë rolin e Italisë si një aktor perëndimor referent në Afrikë dhe të shndërrojë bashkëpunimin dhe infrastrukturën në leva të ndikimit afatgjatë, në një epokë të shënuar nga konkurrenca mes fuqive të mëdha./Marrë nga “Il Messaggero”