Fjalimi i Kryeministrit (KM-së) në seancën konstituive nuk jep shumë shpresë se do të fillojmë të zvogëlojmë hendekun e zhvillimit me ekonomitë e përparuara. Sigurisht, një kritikë më e plotë mund të bëhet pas analizimit të programit qeveritar.
Fadil Sahiti
Kryeministri premtoi shumë. Reforma në drejtësi, luftë kundër korrupsionit, miliarda dollarë investime, transformim të sistemit energjetik, digjitalizim për çdo qytetar, turizëm ndërkombëtar në Brezovicë, dronë luftarakë “Made in Kosova”, paga më të larta, përfitime më të mëdha sociale, etj. Shkurt, ekspozita e tij duket se thotë se Kosova po hyn në një epokë të artë zhvillimi.
Por ajo që mungon në fjalimin e KM-së është mungesa e një përgjigjeje për një pyetje themelore: si do të ndërtohen kapabilitetet (aftësitë dhe kapacitetet) reale që e bëjnë të mundur këtë zhvillim? Këtu hyn në lojë fjalimi i tij, plot me slogane, por i dobët në përmbajtje. Le të kalojmë nga një premtim në tjetrin.
Së pari, KM premtoi reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, si leva morale të VV-së. Është fakt që për zhvillim dhe prosperitet, sundimi i ligjit është thelbësor. Por KM përdori një gjuhë fitoreje, triumfalizmi, foli për një fazë vendimtare, zbatim të patrembur, institucione të reja, etj. Shpesh kemi dështuar në këtë, apo jo? Sot, premtimet për reforma nuk janë më të mjaftueshme. Ata kërkojnë prova se institucionet po e zbatojnë ligjin në një mënyrë të qëndrueshme, madje edhe në situata të vështira politikisht.
Së dyti, KM premtoi investime deri në 1 miliard në vit në energji, infrastrukturë, turizëm, industri dhe mbrojtje. Kosova nuk ka pasur vetëm problem me mungesën e fondeve. Shembulli më tipik janë investimet në termocentrale. Problemi themelor në Kosovë është qeverisja e fondeve. Kemi pasur projekte pa koordinim, programe pa vazhdimësi dhe reforma që gjithmonë kanë mbetur në letër.
Prandaj, pyetja që kërkon përgjigje nuk është se sa do të investojmë, por kush do ta koordinojë procesin e investimeve, si do të qeverisen ato. Jo sa fonde do të marrin ministritë; jo sa projekte mund të shpallen, por kush siguron që këto investime do të ndërtojnë gjenerim të dijes, industri dhe lidhje të vërteta në ekonomi, dhe jo vetëm kantiere ndërtimi dhe konferenca për shtyp? Pa këto përgjigje, shprehja “1 miliard euro në vit” është vetëm një numër për fjalime të bukura.
Së treti, KM foli për rritjen e PBB-së, punësimin, pagat më të larta dhe përfitimet sociale. Fjalë të bukura dhe me peshë politike. Megjithatë, Kosova nuk ka nevojë për një qeveri tjetër që vazhdon të ngatërrojë rritjen e konsumit me transformimin strukturor ekonomik. Kosova duhet t’i shpëtojë asaj që në literaturën e ekonomisë së zhvillimit quhet “modernizim i hollë”, një ekonomi dualiste: disa ishuj progresi si ai në fushën e TIK-ut dhe kryesisht në kryeqytet, ndërsa baza e prodhimit mbetet e dobët dhe me teknologji të vjetër. Nëse fabrikat vazhdojnë të operojnë me pajisje të vjetra, nëse firmat e vogla nuk mund të rriten dhe nëse ekonomia mbetet e varur nga importet dhe remitancat, atëherë statistikat e bukura nuk janë një strategji zhvillimi, por një gjendje mendore hipnotike e përkohshme.
Së katërti, KM premtoi transformim digjital dhe e lidhi këtë kryesisht me shërbimet online për qytetarët, siç janë aplikimet më të shpejta, komunikimi më efikas me shtetin, etj. A ka rëndësi kjo? Sigurisht që ka. A është e mjaftueshme për zhvillim? Aspak. Zhvillimi nuk vjen nga sa shpejt merret një certifikatë. Zhvillimi vjen kur ne aplikojmë teknologjitë digjitale në prodhim duke rritur produktivitetin dhe duke ndryshuar atë që prodhon ekonomia. Është qesharake të presësh që transformimi të vijë nga mënyra se si plotësohen formularët.
Së pesti, KM foli për përfitimet sociale, të tilla si rritja e përfitimeve për fëmijë, subvencionet për gratë që punojnë, rritja e pagave, kontrollet shëndetësore për të gjithë, etj. Sigurisht, këto tingëllojnë tërheqëse si premtime. Por një ekonomi nuk mund të transformohet kurrë duke e ndërtuar atë me rritjen e transfertave të parave të gatshme, por duke rritur kspsbilitetet, industrinë dhe inovacionin. Kur politikat sociale nuk lidhen me ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e produktivitetit, ato bëhen për paqe politike dhe sociale, jo për strategji zhvillimi.
E fundit dhe më shembullorja nga fjalimi i KM-së është premtimi teatral për të prodhuar dronë luftarakë vendas. Tingëllon patriotik dhe i fuqishëm, por kjo zbulon mentalitetin dhe paradoksin tipik ballkanik. Politikanët flasin për industri të përparuara lufte, ndërsa ekonomia ende lufton në treg me aftësitë bazë.
Si përfundim, mund të thuhet se KM i Kosovës nuk duket se ka një ide të qartë për epokën në të cilën po jetojmë. Po jetojmë në një epokë të dominuar nga teknologjia digjitale. Sot, shteti nuk mund të funksionojë siç funksiononte në vitet 1980, duke shpallur plane dhe duke pritur që realiteti t’i ndjekë ato. Shteti tani ndihmon zhvillimin vetëm nëse funksionon si orkestrues, është i hapur për eksperimente, mëson nga gabimet dhe korrigjon vazhdimisht kursin. Fjalimi i Km-së është plot me objektiva, por është i dobët në mekanizma zbatimi.
Ne nuk kemi vuajtur nga mungesa e objektivave të bukura në letër. Kemi vuajtur dhe vuajmë nga mungesa e një teknologjie qeverisëse që di si t’i transformojë objektivat në sukses praktik. KM e përshkruan mandatin e ri si një mandat pune, drejtësie dhe prosperiteti. E bukur si frazë. Por Kosova nuk ka nevojë për një mandat tjetër me fjalë të bukura. Ajo ka nevojë për një mandat që jep përgjigje në një pyetje të thjeshtë dhe të vetme: përtej fjalimeve, përtej projekteve dhe përtej numrave, si do ta kapërcejmë hendekun e zhvillimit ekonomik me vendet e avancuara?