Aktori amerikan James Van Der Beek, i njohur për rolin e Dawson Leery në serialin kult “Dawson’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare, një vit pasi bëri publik faktin se vuante nga kanceri kolorektal.
Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një postimi në Instagram, ku thuhet se aktori “u largua në paqe” pas një beteje të përballuar me “guxim, besim dhe hijeshi”. Të afërmit kërkuan privatësi në këtë moment të vështirë, duke e përshkruar atë si një bashkëshort, baba, djalë, vëlla dhe mik të dashur.
Në nëntor 2025, Van Der Beek kishte zbuluar publikisht diagnozën, duke deklaruar për revistën People se po përballej privatisht me sëmundjen dhe po trajtohej me mbështetjen e familjes. Pavarësisht gjendjes shëndetësore, ai vazhdoi të punonte dhe u shfaq edhe në një episod të “Walker”, reboot-i i “Walker, Texas Ranger”.
Për të përballuar kostot e trajtimeve, aktori kishte nxjerrë në ankand disa objekte nga karriera e tij, ndërsa kasti i “Dawson’s Creek” organizoi një event bamirësie në Nju Jork në mbështetje të shoqatës “F Cancer”. Për shkak të përkeqësimit të shëndetit, ai nuk mundi të merrte pjesë, dhe në vend të tij lexoi skenarin e episodit pilot aktori Lin-Manuel Miranda.
I lindur më 8 mars 1977 në Connecticut, Van Der Beek debutoi në televizion në vitin 1993 dhe në kinema në 1995, por fama botërore erdhi në vitin 1998 me “Dawson’s Creek”, rol që e ktheu në një ikonë të brezit të tij.