Grimierja shqiptare Sonila Velja, e cila ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali duke bashkëpunuar me emra të njohur të showbiz-it si Belen Rodriguez, Monica Bellucci dhe Elettra Lamborghini, ka ndarë detaje nga përvoja e saj profesionale me yjet ndërkombëtarë.
E ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Velja ka folur për bashkëpunimet e saj me figura të njohura, duke veçuar veçanërisht aktoren Monica Bellucci.
Dy bashkëpunime me Bellucci
Grimierja tregoi se ka punuar dy herë me Bellucci-n, duke e përshkruar përvojën si shumë të veçantë dhe profesionale.
“Ka qenë fantastike. Është shumë e thjeshtë dhe të bën të ndihesh shumë e qetë, pa asnjë kompleks,” u shpreh ajo.
Një marrëdhënie e natyrshme në punë
Velja rrëfeu një moment nga bashkëpunimi i parë me aktoren gjatë Festivalit të Venecias, ku iu kërkua të përgatiste pamjen e saj për një dalje publike.
Sipas saj, Bellucci i kishte dhënë liri të plotë në zgjedhjen e stilit të grimit dhe kishte kërkuar një pamje të thjeshtë dhe natyrale.
“Erdhi dhe më tha: ‘Ky është fustani, zgjidh ti çfarë më shkon’. Më kërkonte mendim, sikur ishim shoqe,” tha Velja.
Thjeshtësi dhe profesionalizëm
Grimierja shqiptare theksoi se aktorja e njohur e ka impresionuar me thjeshtësinë dhe komunikimin e hapur, duke e bërë eksperiencën të paharrueshme për të. /GazetaExpress/