Barcelona do të jetë nikoqire e Mallorcas të shtunën, me ndeshjen që luhet me fillim nga ora 18:30 dhe luhet në kuadër të xhiros së 23-të.
Vedat Muriqi ka qenë në qendër të vëmendjes të kësaj ndeshje, pasi sulmuesi dardan po kalon në formë të jashtëzakonshme në La Liga, duke shënuar 15 gola.
Së pari, trajneri i Barcelonës e përmendi në konferencën për shtyp, duke thënë se Vedat Muriqi është rreziku kryesor nga Mallorca.
Më pas, faqja zyrtare e Barcelonës në platformën “X”, postoi një foto të Robert Lewandowskit, me mbishkrimin: “Lewy vs Muriqi”.
Ky i fundit iu përgjigj me një “retweet”.
“Ka pak sulmues që mund të shtyhen me Lewandowskin, dhe unë nuk jam njëri ndër ta… por gjithsesi faleminderit”, i përgjigjet Muriqi faqes së Barcelonës.
Vedat Muriqi dhe Mallorca paraqiten nesër në “Camp Nou”, me qëllimin për t’i shkaktuar probleme Barcelonës dhe për t’i marrë tri pikë të mëdha, në një garë të ngushtë për mbijetesë në La Liga.
Mallorca është e 14-ta me 24 pikë, me vetëm dy pikë larg pozitës së 18-të që të dërgon në Segunda Division.
Ndërkohë, Barcelona është e para në tabelë me 55 pikë të tubuara, një më shumë se Real Madridi në vendin e dytë, që të dielën i shkon Valencias në “Mestalla”./GazetaExpress/