Juventusi pritet të ketë një buxhet më të madh në afatin kalimtar të verës krahasuar me atë të janarit, por strategjia e klubit mbetet e njëjtë: disa goditje të mëdha dhe plotësimi i skuadrës me përforcime me kosto të ulët, idealisht si lojtarë të lirë.
Sipas La Gazzetta dello Sport, bardhezinjtë kanë hedhur sytë nga disa futbollistë që u skadon kontrata. Gjatë merkatos së fundit, Juventusi tentoi afrimin e Oscar Minguezës, por kërkesat e larta financiare të Celta Vigos e bënë të pamundur transferimin.
Megjithatë, ai nuk është i vetmi emër në listë për krahun e djathtë të mbrojtjes, pasi drejtuesit torinezë po e shohin me interes edhe Zeki Celik, i cili është i njohur me Serie A dhe përfiton rreth 2 milionë euro në sezon.
Një tjetër objektiv prioritar është mbrojtësi i qendrës Marcos Senesi. Edhe pse Lloyd Kelly ka dhënë sinjale pozitive, ai mbetet i vetmi mbrojtës mëngjarash në dispozicion. Senesi pritet të largohet nga Bournemouth, e pëlqen idenë e kalimit te Juventusi, por konkurrenca nga klubet e Premier League është e fortë. Për të siguruar shërbimet e tij, “Zonja e Vjetër” duhet t’i ofrojë një pagë që varion nga 3 deri në 5 milionë euro në vit.
Në listën e dëshirave të Juventusit figuron edhe Bernardo Silva, ndonëse një operacion i tillë do të kërkonte shpenzime të konsiderueshme. Sa i përket mesfushës, drejtuesit bardhezinj besojnë se kanë shanse reale për ta rikthyer Franck Kessié në Itali, ndërkohë që po monitorojnë nga afër edhe mesfushorin e RB Leipzig, Xaver Schlager. /GazetaExpress