Barcelona po konsideron të ofrojë një kontratë të re Robert Lewandowskit, duke synuar që polaku të qëndrojë të paktën edhe një sezon në Camp Nou.
Sipas ESPN, rinovimi do të bëhet vetëm nëse Lewandowski pranon uljen e pagës, një hap i nevojshëm për të krijuar hapësirë financiare për transferime të tjera këtë verë. Trajneri Hansi Flick është i kënaqur me qëndrimin dhe performancat e sulmuesit.
Lewandowski iu bashkua Barcelonës në 2022 për rreth 42.5 milionë paund, duke shënuar 113 gola dhe 23 asistime në 174 ndeshje në të gjitha garat. Ai mbetet një lojtar kyç i formacionit të parë.
Blaugranët gjithashtu synojnë të sjellin një sulmues shtesë që të konkurrojë me Ferran Torres, me emra si Julian Alvarez i Atletico Madridit dhe Dusan Vlahovic i Juventusit që lidhen me këtë plan.
Barcelona aktualisht është në krye të La Liga, me një pikë avantazh, dhe synon të mbrojë titullin pas fitoreve ndaj Oviedo dhe Elche, pas humbjes 2-1 ndaj Real Sociedad muajin e kaluar. /GazetaExpress