Tifozi i Interit që hodhi fishekzjarrin i cili goditi portierin e Cremonese, Emil Audero, ka kërkuar falje publike për incidentin e rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes së fundit të Serie A në Stadio Zini.
Fishekzjarri u hodh nga sektori i tifozëve mysafirë dhe shpërtheu pranë Auderos, duke e goditur atë në këmbë. Portieri arriti të vazhdojë ndeshjen pas trajtimit mjekësor, por ngjarja shkaktoi reagime të forta dhe dënim nga i gjithë futbolli italian.
Autori i incidentit është identifikuar si një 19-vjeçar, i cili u arrestua dhe tani përballet me procedura penale dhe rrezik burgimi. Ai pësoi edhe lëndime në dy gishta, pasi tentoi të hidhte një tjetër fishekzjarr gjatë së njëjtës ndeshje.
“I kërkoj falje Auderos, dy klubeve dhe të gjithë tifozëve,” thuhet në deklaratën e tij për agjencinë ANSA.
Sipas avokatit të tij, i riu nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat e mundshme të veprimit, ndërsa Interi është bashkuar si palë e dëmtuar në proces, pasi klubi është gjobitur me 50 mijë euro për incidentin.
Kërkesa fillestare e prokurorisë është që i riu të vendoset në arrest shtëpiak, në pritje të gjykimit. /GazetaExpress