Pep Guardiola ka lëshuar një deklaratë ironike ndaj drejtuesve të Manchester Cityt në lidhje me shpenzimet në merkato, duke thënë se nuk e “kupton se si klubi nuk ka shpenzuar më shumë para”, pavarësisht afrimeve të fundit.
Komentet e trajnerit spanjoll vijnë një ditë pas mbylljes së afatit kalimtar dimëror, ku City siguroi transferimin e Marc Guehi nga Crystal Palace për 20 milionë paund, si dhe afrimin e Antoine Semenyo për 64 milionë paund në fillim të janarit.
Gjatë verës, kampionët e Anglisë forcuan ndjeshëm skuadrën me afrimet e Gianluigi Donnarumma, Rayan Ait-Nouri, Tijjani Reijnders, Rayan Cherki, James Trafford dhe talentit të ri Sverre Nypan.
Megjithatë, para ndeshjes së kthimit në gjysmëfinalen e Carabao Cup ndaj Newcastle, Guardiola u shpreh me tone sarkastike për bilancin financiar të klubit në merkato.
“Jam pak i mërzitur dhe i zhgënjyer, sepse për shpenzimet neto të pesë viteve të fundit jemi të shtatët në Premier League. Dua të jemi të parët. Nuk e kuptoj pse klubi nuk shpenzon më shumë para,” deklaroi Guardiola.
Ai shtoi se gjashtë ekipe të tjera kanë shpenzuar më shumë se City në pesë vitet e fundit dhe tashmë duhet të fitojnë Premier League, Champions League dhe FA Cup.
Trajneri katalanas njihet për deklaratat e tij ironike ndaj mediave, ndaj edhe kjo deklaratë u interpretua si një thumbim me humor.
Në verë, City përjetoi edhe largime të rëndësishme, me emra si Jack Grealish, Ederson, Ilkay Gundogan dhe Manuel Akanji që u larguan nga klubi, ndërsa Kyle Walker u shit me një çmim të ulët dhe disa lojtarë të rinj u huazuan.
Manchester City shpenzoi 152 milionë paund gjatë afatit veror, duke u renditur i shtati për shpenzimet neto, me 99 milionë paund. Arsenal kryesoi listën me 246 milionë paund, ndjekur nga Liverpool, Manchester United dhe Tottenham.
Sipas të dhënave të Transfermarkt, City renditet i dyti për shpenzimet totale në Premier League gjatë pesë viteve të fundit, me rreth 950 milionë paund, pas Chelseat që ka kaluar shifrën e 1.5 miliardë paundëve. /GazetaExpress