“Një fillim i ri” është një slogan i përsosur sepse nuk kërkon plan, asnjë afat, asnjë përgjegjësi. Është një premtim i përjetshëm. Dhe kështu ne ecim “përprapa”; “përreth”; me flamuj në duar ku shkruhet “fillim i ri” dhe “me fjalë të pastra” rreth praktikave të vjetra. Kjo do të vazhdojë derisa një ditë do të kuptojnë se fillimi i vërtetë i ri nuk shpallet kurrë, ai ndodh. Por kjo ndodh vetëm kur udhëheqësi ka guximin të përballet me fundin, pa dredhi apo ekuivokime
Fadil Sahiti
Republika jonë është bërë një vend me fillime të pafundme. Fjala “fillim” ka humbur kuptimin e saj kronologjik. Si një nocion kohor, ajo nuk tregon më “nisje të re”, por një kthim. Kjo fjalë gjithkah asocohet me agimin e ditës, tek ne me një perëndim dielli të rilyer. Kur i votëbesuari i LDK-së, udhëheqësi i saj, na siguron se “do të ecim së bashku në një fillim të ri”, duket sikur ai po i referohet kohës që do të vijë. Por, duket qartë, për të kjo frazë nëkupton rrethin që po mbyllet përsëri, dhe më e rëndësishmja, po mbyllet në të njëjtin bosht.
Organizata partiake e quajtur LDK, të cilën dikur e identifikonim me ambicien tonë për të pasur një shtet, si çdo institucion tjetër që mbijeton dekada, ka krijuar fjalorin e vet politik; një sërë fjalësh dhe frazash. Në këtë gjuhë, ato kanë transformuar edhe kuptimin themelor të një numri nocionesh. Për shembull, nocioni „përgjegjësisë institucionale“ në këtë parti kuptohet „ruajtje e stabilitetit të brendshëm“; ose nocioni „dështim politik“ kuptohet si tranzicion; e pushteti personal lidhet me unitetin e partisë. Ata kanë përsosur një gjuhë dualiste; fjalët thonë një gjë, puna dhe realiteti që prodhojnë përmes saj thonë diçka krejtësisht tjetër. Në gjuhën e tyre, të ecësh përpara do të thotë të qëndrosh në vend (shpesh edhe të kthehesh prapa), për sa kohë që të qëndrosh në vend ruhet rendi i vjetër.
Politikanët e Kosovës nuk e njohin fjalën “fund”. Ata kanë talent për të shpikur fillime të reja. Dhe, fundi në një vend normal ka gjithmonë një faturë të papaguar. Fillimi, përkundrazi, nuk ka llogari, nuk ka faturë, është një amnisti e përhershme. Politikanët tanë e dinë se me çdo “fillim të ri”, arkivat mbyllen, pyetjet harrohen dhe ata që janë përgjegjës për dështimet ringjallen përsëri, si sfinksat, dhe na paraqiten si reformatorë.
Organizatat politike në vendin tonë i ngjajnë çifligjeve, pronave të trashëguara të feudalëve. I vetmi ndryshim me ato të vjetrat është se çifligjet tona kanë rregulla dhe procedura, dhe madje i kanë me bollëk. Brenda partisë ka njerëz të specializuar që dinë t’i interpretojnë ato sipas interesave të feudit. Në jetën tonë moderne, feudët e politikës e trajtojnë demokracinë e brendshme si një relike muzeale. Çdo gjë ka rregulla, procedura, por jo edhe për përgjegjësi politike, e lëre më morale. Ata e thërrasin anëtarësinë në “mbledhi”, jo për të identifikuar dhe vendosur mbi shkaqet e humbjes, por për të votuar dhe duartrokitur.
Fraza “Unë jam fajtor” maskohet si “ne jemi fajtorë”. Pyetja pse “po humbasim vazhdimisht zgjedhjet” nuk ekziston. Një pyetje e tillë është një kërcënim për stabilitetin e partisë. Bëhet nga ata që duan shkatërrimin e partisë shtetformuese. Kështu, krijohet një gjendje e ngrirë në parti, e cila mund të ndryshojë vetëm në masën që është e sigurt se do të mbetet e njëjtë.
Nga një perspektivë oruelliane, situata në LDK do të shihej si një parti që flet për të ardhmen ndërsa jeton në të kaluarën. Një lidership që premton reforma, por me fjalë dhe vepra përforcon zakonet e vjetra. Një parti që përdor një gjuhë që prodhon shpresë vetëm për të shmangur veprimin.
“Një fillim i ri” është një slogan i përsosur sepse nuk kërkon plan, asnjë afat, asnjë përgjegjësi. Është një premtim i përjetshëm. Dhe kështu ne ecim “përprapa”; “përreth”; me flamuj në duar ku shkruhet “fillim i ri” dhe “me fjalë të pastra” rreth praktikave të vjetra. Kjo do të vazhdojë derisa një ditë do të kuptojnë se fillimi i vërtetë i ri nuk shpallet kurrë, ai ndodh. Por kjo ndodh vetëm kur udhëheqësi ka guximin të përballet me fundin, pa dredhi apo ekuivokime.