Teknologjia digjitale nuk është një mundësues, është një mundësi për zhvillim. Për të shfrytëzuar këtë mundësi, Kosova dhe politikëbërësit e saj duhet të ndryshojnë rrënjësisht qasjen e tyre ndaj rrugës që çon në kapjen e ritmit me vendet e zhvilluara. Nga një qasje e fokusuar vetëm në përhapjen e teknologjisë, ose imitimin e modeleve të suksesshme institucionale nga gjetiu, duhet të adaptohet një qasje e fokusuar në zhvillimin e kapabiliteteve lokale.
Fadil Sahiti
Shoqëria e Kosovës ka nevojë, më shumë se kurrë më parë, të përqendrojë debatin publik (akademik dhe politik) në gjetjen e një qasjeje që çon në kapjen e ritmit të zhvillimit ekonomik në vendet e zhvilluara. Ky debat është jetik, veçanërisht sot, kur teknologjia digjitale po transformon rrënjësisht jetën tonë. Në një ekonomi globale ku produktiviteti, inovacioni dhe konkurrueshmëria varen gjithnjë e më shumë nga aftësitë digjitale, pyetja nuk është më “nëse”, por “si” dhe “për çfarë qëllimi” duhet të përdoret kjo teknologji.
Ndikimi i kësaj teknologjie në ekonominë tonë është tashmë i dukshëm. Sektori i IT-së, shërbimet digjitale, outsourcing dhe puna në distancë janë shembujt më konkretë se si firmat e Kosovës po i përdorin mundësitë e krijuara për të depërtuar në tregjet globale dhe për t’u integruar në atë që quhet zinxhiri global i vlerës.
Por suksesi i një brezi të ri dhe inteligjent në sektorin e IT-së mund të na kthehet si një bumerang (në kuptimin strategjik) nëse nuk shpërndahet edhe në sektorë të tjerë. Teknologjia digjitale, në vend që të shërbejë si një ‘levë për të ngushtuar hendekun teknologjik’, në produktivitetet, apo hendekun në të ardhura, mund ta rrisë atë lehtësisht. Sidomos nëse kjo teknologji trajtohet si një vlerë vetëm e një sektori të izoluar, siç është rasti me sektorin e IT-së, dhe jo edhe për sektorë të tjerë.
Në vendin tonë, përdorimi i teknologjisë digjitale shpesh kufizohet vetëm në konsum (aplikacione, rrjete sociale, platforma tregtare), pa u bërë një burim i qëndrueshëm i produktivitetit dhe inovacionit në sektorë të tjerë ekonomikë, në industri tradicionale si prodhimi, bujqësia, shërbimet, ku përfitimet shpërndahen më gjerësisht në të gjithë ekonominë.
Një keqkuptim i theksuar në Kosovë, por edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor është ideja se krijimi i axhendave digjitale si Observatori i Axhendës Digjitale 2030, ose investimi në infrastrukturën digjitale, përmirësimi i ekosistemit për startup-et, ose përafrimi i politikave, rregulloreve ose institucioneve me BE-në do të na çojë automatikisht në progres.
Përvoja flet ndryshe. Teknologjia digjitale, në vend që të gjenerojë rritje me bazë të gjerë në të gjitha firmat dhe sektorët ekonomikë, ka kontribuar në rritjen e një dualizmi në nivel firmash. Kemi një numër të vogël firmash, të cilat, siç u theksua më sipër, kanë depërtuar në tregun ndërkombëtar duke u mbështetur në aftësitë digjitale; ndërsa pjesa absolute e firmave të tjera vazhdon të mbështetet në teknologji të vjetruara, procese analoge dhe sisteme të vjetra prodhimi. Këto firma përballen me probleme strukturore, të tilla si mungesa e punëtorëve të kualifikuar, infrastruktura e dobët fizike, qasja e kufizuar në financa, e veçanërisht me aftësi të dobëta organizative dhe menaxheriale.
Kjo evidencë sugjeron që as teknologjia digjitale, as strategjitë e mira në letër, as përafrimi rregullator dhe institucional me BE-në nuk e ngushtojnë automatikisht hendekun e zhvillimit. Në Kosovë, politikëbërësit duhet të rimendojnë në thelb qasjen se si të qeverisin procesin e kapjes së hapit zhvillimor, veçanërisht tani në epokën digjitale. Qasja duhet të ndryshojë, nga ajo aktuale e orientuar drejt përhapjes së përvojave të suksesshme nga vendet e tjera, në një të orientuar drejt zhvillimit të kapabiliteteve lokale (aftësive, kapaciteteve).
Përvojat ndërkombëtare tregojnë se të gjitha vendet që kanë pasur sukses në transformimin strukturor të ekonomive të tyre kanë ndjekur politika aktive kontekstuale. Dhe ky transformim nuk ndodh brenda natës, është kumulativ dhe kërkon vite, ndoshta dekada. Që kjo të ndodhë, investimet duhet të përqendrohen në arsim, mbështetje financiare për R&D, qeverisje adaptive dhe eksperimentim politikash. Procesi i kapjes së ritmit të zhvillimit nuk duhet t’i lihet vetëm tregut, por të mbështetet në mënyrë aktive nga institucione të forta publike.
Si përfundim, sfida për Kosovën nuk është qasja në teknologjinë digjitale. Sfida themelore është se si të ndërtohen kapabilitete në tre nivele: njerëzor, të firmave të biznesit, si dhe institucional, në mënyrë që kjo teknologji të integrohet në modelet tona të përditshme të punës dhe të përdoret në aktivitete që prodhojnë vlerë.
Pa investime serioze në arsimin profesional, mësimin gjatë gjithë jetës, e sidomos krijimit të lidhjeve organike midis midis firmave, institucioneve dhe agjencive publike, institucioneve arsimore dhe hulumtuese, organizatave të shoqërisë civile, aktorëve transnacionalë (donatorë të huaj dhe diasporë), është iluzion të presim që teknologjia digjitale do të na çojë vetë drejt progresit. Kjo teknologji nuk është një mundësues, është një mundësi.
Krejt në fund. Dikush mund të thotë se kjo rrugë është e ngadaltë dhe e kushtueshme. E vërtetë. Por alternativa është kurthimi në moszhvillim, madje edhe sot në epokën e mundësive të krijuara nga teknologjia digjitale.
(Ky editorial është shkëputur nga libri “Catching Up in the Digital Age: Capabilities, Governance and Industrial Policy in Transitional Europe”, i cili është në proces të botimit nga shtëpia botuese prestigjioze Springer Nature.)