Një nga pyetjet më të shpeshta në çift është: sa shpesh duhet të bëjmë seks që lidhja të jetë e qëndrueshme dhe kuptimplote?
Edhe pse përgjigjja duket personale dhe varet nga shumë faktorë – mosha, prania e fëmijëve apo bashkëjetesa – një eksperte ndërkombëtare e marrëdhënieve thotë se ekziston një shifër e qartë, e mbështetur nga kërkimet shkencore.
Dr. Nicole McNichols, profesore e seksualitetit njerëzor në Universitetin e Uashingtonit, e cila drejton një nga kurset më të ndjekura akademike mbi seksualitetin, shpjegon se hulumtimet tregojnë diçka që shpesh neglizhohet: kënaqësia seksuale shpesh vjen para kënaqësisë në marrëdhënie, dhe jo anasjelltas.
Duke analizuar të dhëna afatgjata nga mijëra çifte, ajo zbuloi se kur rritet kënaqësia seksuale, pas saj vjen edhe rritja e lumturisë dhe stabilitetit në çift. “Kur njerëzit raportojnë përmirësim në jetën seksuale, më pas ndihen më të kënaqur edhe me marrëdhënien në tërësi,” shpjegoi ajo në podcast-in Modern Love të New York Times.
Lajmi i mirë për çiftet e zëna me punë është se nuk nevojitet seks i shpeshtë. Sipas të dhënave, frekuenca optimale është vetëm një herë në javë. Të bësh seks më shpesh nuk është problem, por nuk sjell domosdoshmërisht përfitime shtesë për marrëdhënien.
“Përfitimi për mirëqenien e çiftit nuk rritet përtej një herë në javë,” thotë Dr. McNichols.
Por rëndësi nuk ka vetëm sa shpesh, por edhe si. Studimet tregojnë se çiftet me lidhjet më të forta sjellin diçka të re në jetën e tyre intime rreth një herë në muaj. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshime të mëdha, por variacione të vogla që thyejnë rutinën: ambient tjetër, kohë tjetër e ditës, ose thjesht një qasje ndryshe ndaj intimitetit.
Sipas saj, çelësi është ndjenja e fuqizimit, komunikimi i nevojave personale dhe krijimi i një përvoje të kënaqshme për të dy partnerët.
Këto përfundime mbështeten edhe nga një studim i vitit 2025 i Universitetit të Mançesterit, i cili analizoi gati 500 gra heteroseksuale. 85% e grave që kishin seks një herë në javë e përshkruan veten si të kënaqura seksualisht, krahasuar me 66% të atyre që kishin seks një herë në muaj. Kënaqësia binte ndjeshëm te gratë që kishin marrëdhënie edhe më rrallë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, megjithatë, të dhënat tregojnë se shumica e çifteve janë nën këtë prag: gjashtë në dhjetë britanikë raportojnë se bëjnë seks më rrallë se një herë në javë.
Studimet tregojnë gjithashtu se seksi i rregullt ndikon pozitivisht në humor, shëndetin e përgjithshëm dhe madje lidhet me jetëgjatësi më të madhe.
Sa shpesh bëjnë seks grupmoshat (mesatarisht):
Gjenerata Z: 3 herë në muaj
Milenialët: 5 herë në muaj
Gjenerata X: 5 herë në muaj
Baby Boomers: 3 herë në muaj
Në fund, mesazhi i ekspertëve është i qartë: cilësia, jo sasia, dhe një ritëm realist që i përshtatet jetës së përditshme të çiftit. /GazetaExpress/