Gjykata e Kasacionit në Itali ka konfirmuar mbrëmjen e 15 prillit vendimin e dënimit me 30 vite burg për 42-vjeçaren shqiptare, Elona Kalesha, e cila vrau prindërit e ish partnerit të saj në Itali.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Firence në vitin 2015, Sheptim dhe Teuta Pasho u zhdukën. Çifti kishte udhëtuar drejt Italisë në prag të lirimit nga burgu të djalit të tyre, i cili ishte në një lidhje me të pandehurën.
Pas mbërritjes, ata u zhdukën pa lënë gjurmë, ndërsa denoncimi për zhdukjen u bë nga vajzat e tyre.
Rasti mori një kthesë dramatike në dhjetor të vitit 2020, kur trupat e viktimave u gjetën të copëtuar brenda katër valixheve në një zonë rurale pranë burgut të Sollicciano.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Kalesha ka mohuar akuzat, por hetimet e autoriteteve italiane e identifikuan si përgjegjësen kryesore për krimin. Sipas prokurorisë që drejtoi hetimet, dyshohet se ajo nuk ka vepruar e vetme, por bashkëpunëtori i mundshëm nuk është identifikuar asnjëherë.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Kasacionit, çështja konsiderohet e mbyllur në aspektin gjyqësor.