Bekë Berisha nuk do ta vazhdojë më detyrën si kryetar i KB Sigal Prishtina, vetëm pak ditë pas emërimit në këtë pozitë.
Berisha ka konfirmuar se, në bashkëpunim me tifo-grupin “Plisat” dhe kryesinë e klubit, do të emërohet një ushtrues detyre i kryetarit, deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri.
Në konferencën për media, ai theksoi se angazhimet e tij politike e bëjnë pothuajse të pamundur ushtrimin e kësaj detyre, të cilën – sipas tij – e kishte pranuar me shumë vullnet.
“Do të marrim vendimin nga aspekti ligjor për emërimin e një ushtruesi detyre të presidentit të klubit. Ky emër do të vijë si propozim nga grupet e tifozëve dhe dashamirët e klubit, të cilët dëshirojmë t’i respektojmë. Unë, në koordinim me klubin, do ta emëroj ushtruesin e detyrës deri në momentin kur të jap betimin si deputet”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se klubi duhet t’u përkasë tifozëve dhe dashamirëve të tij, ndërsa vetë e ka të pamundur ta udhëheqë klubin në rrethanat aktuale.
Bekë Berisha ishte emëruar kryetar i Sigal Prishtinës më 14 janar, ndërsa dorëheqja e tij vjen vetëm tri ditë më pas. Ndërkohë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte reaguar duke theksuar se mbajtja e postit të deputetit dhe e kryetarit të klubit përbën konflikt interesi.
Situata në klub është shoqëruar me tensione të vazhdueshme mes tifo-grupit “Plisat” dhe kryesisë së mëparshme, pakënaqësi që nuk u shuan as pas emërimit të Berishës në krye të klubit. /GazetaExpress