Barbie e re është dizajnuar me qëllim përfaqësimin e fëmijëve në spektrin e autizmit, përmes karakteristikave konkrete dhe mjeteve ndihmëse që ata përdorin në jetën e përditshme.
Ajo mban kufje rozë për reduktimin e zhurmës, të cilat ndihmojnë në përballimin e mbingarkesës shqisore. Në njërën dorë ka një “fidget spinner” rozë plotësisht funksional, ndërsa në tjetrën një tablet që i referohet pajisjeve të Komunikimit Alternativ dhe Përforcues (AAC), të përdorura nga persona me vështirësi në të folur ose në komunikim verbal.
Shikimi i saj është lehtësisht i drejtuar anash, duke reflektuar faktin se disa persona me autizëm shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me sy.
Edhe veshja ka karakter funksional: një fustan vjollcë me vija, i gjerë, me mëngë të shkurtra dhe prerje të lirshme, për të kufizuar kontaktin e pëlhurës me lëkurën, diçka që shpesh preferohet nga persona me ndjeshmëri të shtuar shqisore.
Barbie e re është pjesë e koleksionit “Fashionistas” të Mattel, i cili përfshin kukulla me një larmi tonesh lëkure, teksturash flokësh, tipa truporë dhe probleme shëndetësore, si diabeti i tipit 1, sindroma Down dhe verbëria.
Për dizajnin e saj, Mattel bashkëpunoi me rrjetin jofitimprurës Autistic Self Advocacy Network, me synimin për një paraqitje autentike dhe të bazuar në prova të autizmit. Kompania thekson se kukulla synon të përfaqësojë rreth 1 në 31 fëmijë në Shtetet e Bashkuara që diagnostikohen me autizëm deri në moshën 8 vjeç.
“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë me autizëm të shohin përfaqësime autentike dhe pozitive të vetes së tyre, dhe kjo kukull është pikërisht e tillë”, deklaroi Kolik Kilick, drejtor ekzekutiv i Autistic Self Advocacy Network.
“Bashkëpunimi me Barbie na lejoi të ndanim ide dhe udhëzime gjatë gjithë procesit të dizajnimit, për t’u siguruar që kukulla përfaqëson dhe nderon plotësisht komunitetin e personave me autizëm, përfshirë mjetet që na ndihmojnë të jemi të pavarur”, u shpreh ai.
Autizmi është një kategori e gjerë e dallimeve neurozhvillimore që ndikojnë në komunikim, ndërveprim shoqëror dhe mënyrën se si individi e percepton botën. Zakonisht shfaqet para moshës 3 vjeç dhe e shoqëron personin gjatë gjithë jetës. Edhe pse nuk ka kurë, mbështetja e hershme dhe ndërhyrjet e duhura mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.
Studimet tregojnë se autizmi diagnostikohet më shpesh tek djemtë, megjithatë shumë specialistë theksojnë se tek vajzat shpesh nën-diagnostikohet ose zbulohet më vonë. Zgjedhja e një figure femërore synon të vërë në pah edhe këtë aspekt.