Nico Paz ka kaluar një periudhë shumë të suksesshme që nga largimi nga Real Madridi drejt Como 1907 në verën e vitit 2024.
Mesfushori ofensiv 21-vjeçar ka shkëlqyer në Itali nën drejtimin e Cesc Fàbregas, duke regjistruar 11 gola dhe 14 asistime në 51 paraqitje.
Paraqitjet e tij kanë kënaqur drejtuesit e Real Madridit, të cilët sipas raportimit të AS, kanë marrë vendimin për ta rikthyer Nico Paz në “Santiago Bernabéu” në muajin qershor.
Klubi madrilen nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin për përfitim financiar, pavarësisht interesimit nga disa klube të mëdha evropiane, përfshirë edhe Manchester United.
Gjithçka tregon se aventura e Nico Paz në Itali po shkon drejt fundit. Në muajt e mbetur, ai synon të japë maksimumin me Comon, jo vetëm për ta ndihmuar ekipin në garën për zonat evropiane, por edhe për të ruajtur nivelin e lartë që ka impresionuar Real Madridin.
Një tjetër objektiv personal i argjentinasit është fitorja e një vendi në Kombëtaren e Argjentinës për Kupën e Botës 2026, çka pritet të shtyjë edhe më shumë përpara zhvillimin e tij.
Te Real Madridi janë të bindur se kanë në duar një talent të veçantë dhe duan që Nico Paz të rikthehet për të përmbyllur zhvillimin e tij në ekipin e parë, sidomos duke pasur parasysh nevojën e skuadrës për kreativitet në mesfushë këtë sezon. /GazetaExpress