Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka konfirmuar se Bruno Fernandes do të mungojë për rreth një muaj pas dëmtimit të muskulit të këmbës në humbjen 2-1 ndaj Aston Villës.
Mesfushori portugez pritet të rikthehet për derbin kundër Manchester City më 17 janar, që do të thotë një mungesë prej pesë ndeshjesh.
“Është e pamundur ta zëvendësosh Brunon,” tha Amorim. “Ai organizon skuadrën në çdo moment, sidomos në goditjet standarde, dhe është gjithmonë udhëheqësi në fushë.”
Mungesa e Fernandes vjen në një periudhë të vështirë, pasi Bryan Mbeumo dhe Amad Diallo janë në Kupën e Kombeve të Afrikës, ndërsa Kobbie Mainoo, zëvendësuesi i tij i dukshëm, mungon gjithashtu për shkak të dëmtimit.
Amorim ka kërkuar që lojtarët e tjerë të marrin përgjegjësi, duke përmendur Lisandro Martinez dhe Luke Shaw si alternativa të seniorëve, ndërsa Diogo Dalot mbajti shiritin e kapitenit kundër Aston Villës.Lojëtarët e akademisë Jack Fletcher dhe Shea Lacey pritet të kenë më shumë minuta në fushë, duke marrë mundësinë e tyre për të treguar vlerën.
Klubi përballet me sfida të mëdha, por Amorim mbetet optimist: “Besoj se mund të fitojmë çdo ndeshje. Edhe me shumë mungesa, besoj tek skuadra dhe tek lojtarët e mi.” /GazetaExpress