Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, vazhdon të jetë objekt i shumë spekulimeve për të ardhmen e tij, me kontratën që i skadon në fund të sezonit.
Ylli polak duket i pasigurt se ku do ta vazhdojë karrierën sezonin e ardhshëm.
37-vjeçari firmosi një zgjatje kontrate me Barcelonën sezonin e kaluar, pasi kaloi shifrën e 40 golave në një vit shumë të mirë nën drejtimin e Hansi Flick.
Megjithatë, këtë sezon ai është përballur me dëmtime dhe me konkurrencën e Ferran Torres për vazhdimësi, me këtë të fundit që së fundmi po i besohet më shpesh nga Flick.
Deri tani, Lewandowski ka tetë gola dhe dy asistime në 18 paraqitje, por ka nisur si titullar vetëm në 10 nga 25 ndeshjet e Barcelonës. Katër prej këtyre ndeshjeve i ka munguar për shkak dëmtimesh.
Sipas “Sport”, trajneri Hansi Flick do të diskutojë planet e tij me Lewandowskin në janar.
Trajneri gjerman ka një marrëdhënie të mirë me Lewandowskin që nga koha e tyre te Bayern Munich dhe ata janë të hapur e të sinqertë me njëri-tjetrin.
Nëse Flick vlerëson se Lewandowski mund të jetë ende i dobishëm sezonin e ardhshëm, atëherë ai nuk do ta pengojë një rinovim kontrate.
Duket e mundshme që, nëse Barcelona i ofron rinovim, Flick do t’i japë një rol të reduktuar, ndërsa klubi edhe një pagë më të ulët.
Lewandowski, i cili është i vendosur në kryeqytetin katalanas, teorikisht do të ishte i gatshëm t’i pranonte këto kushte, edhe pse gjithçka do të varet nga shkalla e reduktimit të rolit dhe pagës.
Megjithatë, sulmuesi veteran ka edhe opsione të tjera.
AC Milan raportohet se është i interesuar ta sjellë atë në Serie A për një “valle të fundit”, ndërsa Chicago Fire kryeson radhën e skuadrave të Major League Soccer të interesuara për të.
Arabia Saudite ka shprehur interesim për të në sezonet e fundit, por Lewandowski duket më pak i tunduar nga një transferim në Lindjen e Mesme./GazetaExpress/