Roma ka shënuar një fitore të madhe 3-0 në fushën e Celtic në Glasgow, duke u afruar pranë kalimit në fazën e nokautit të Europa League.
Një autogol i Liam Scales dhe dy gola të Evan Ferguson në pjesën e parë vendosën rezultatin për Giallorossit, të udhëhequr nga trajneri Gian Piero Gasperini.
Skuadra romane kishte kaluar një periudhë të vështirë në Serie A, me dy humbje radhazi, dhe fitore e fundit e tyre në çdo kompeticion datonte në nëntor, ndaj Midtjylland (2-1).
Gasperini surprizoi me zgjedhjen e Fergusonit si sulmues titullar, ndërsa Paulo Dybala, Manu Kone dhe Angelino filluan nga stoli.
Roma dominoi pjesën e parë, duke regjistruar tetë goditje, tre prej të cilave në portë. Avantazhi u hap që në minutën e pestë me autogolin e Liam Scales pas një këndi të fituar nga Zeki Celik.
Golin e dytë e shënoi Ferguson në minutën e 35-të, pas një topi të dhënë nga Celik, ndërsa pak para pushimit të pjesës së parë, Ferguson vulosi rezultatin 3-0 pas një aksioni të bukur të Matias Soule.
Celtic pati disa mundësi për të rikthyer shpresat, përfshirë një penallti të shkaktuar nga Mario Hermoso, por Arne Engels goditi shtyllën, ndërsa disa tentime të tjera u anuluan për ofsajd, duke përfshirë edhe një gol të pretenduar nga Leon Bailey.
Fitore e madhe për Romën, që ngjitet në vendin e 10-të në tabelën e Europa League, vetëm një pikë larg top-8, me dy ndeshje të mbetura ndaj Stuttgart dhe Panathinaikos para përfundimit të fazës së grupeve.
Roma duket e rikuperuar dhe në rrugën e duhur për të siguruar kalimin në fazën e nokautit pas një paraqitjeje të sigurt dhe bindëse në Glasgow. /GazetaExpress