Massimiliano Allegri ka zbuluar se Christian Pulisic është në dyshim për ndeshjen e ardhshme të Milanit në Serie A kundër Torinos të hënën në mbrëmje, pasi aktualisht është me temperaturë: “Nuk do ta marrim me vete nëse do t’i infektojë të gjithë”.
Milani do të ketë mundësinë të rikthehet në krye të tabelës së Serie A me një fitore në transfertë ndaj Torinos të hënën mbrëma, me ndeshjen që nis nga ora 20:45.
Trajneri i “kuqezinjve” dha një përditësim mbi gjendjen e lojtarëve para ndeshjes kundër Torinos gjatë konferencës për shtyp të së dielës.
Ai konfirmoi se do të jetë ende pa Santiago Gimenez dhe Youssouf Fofana, dhe se Pulisic rrezikon të mungojë për shkak të sëmundjes.
Ylli i SHBA-ve u la jashtë në fitoren 1-0 kundër Lazios fundjavën e kaluar për shkak të një problemi muskulor, por ishte mjaftueshëm në formë për të hyrë nga stoli kundër bardhekaltërve në Kupën e Italisë të enjten në mbrëmje.
Megjithatë, ka mundësi që ai të detyrohet të mungojë sërish në një ndeshje kampionati këtë fundjavë.
“Shpresojmë ta kemi Gimenez sa më shpejt, është i rëndësishëm dhe na duhet si numerikisht ashtu edhe taktikisht,” tha Allegri para mediave të dielën.
“Pulisic pati temperaturë mbrëmë, do të shohim nesër nëse do të jetë i gatshëm apo jo,” vazhdoi ai.
“Nuk do ta marrim me vete nëse do t’i infektojë të gjithë. Athekame po punon për rikuperimin e tij, shpresojmë ta kemi Fofanan për ndeshjen me Sassuolon. Kjo është një javë shumë e rëndësishme”, shtoi ai.
Pulisic dhe Rafael Leao janë golashënuesit më të mirë të Milanit këtë sezon me nga pesë gola secili në Serie A.
Megjithatë, ata kanë arritur të luajnë titullarë së bashku vetëm një herë deri tani këtë sezon: gjatë fitores 1-0 kundër Interit në “Derbin e Madoninës” në fund të nëntorit./GazetaExpress/