Donald Trump ka dhënë një përditësim të rëndësishëm nëse ndeshjet e Kupës së Botës 2026 do të zhvendosen në rast se norma e kriminalitetit konsiderohet shumë e lartë.
Shorti për turneun e vitit 2026 u hodh të premten mbrëma në “Kennedy Center”, me presidentin Trump që iu dorëzua çmimi i parë i Paqes i FIFA-s nga Gianni Infantino.
104 ndeshje do të zhvillohen në të gjithë Amerikën e Veriut – Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada – si pjesë e një turneu të riformatuar me 48 ekipe.
Ka 11 qytete pritëse që do të organizojnë ndeshje në SHBA, ndërsa të gjitha kombëtaret do të marrin vesh kalendarin e tyre të plotë dhe vendet ku do të luajnë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga FIFA të shtunën.
Gjysmëfinalet dhe finalja do të luhen në “East Rutherford”, New Jersey, që do të ketë nderin të presë ndeshjet më të mëdha dhe më të rëndësishme.
Por Trump ka deklaruar qartë se ai nuk do të hezitonte të zhvendoste ndeshje nga qytete të caktuara nëse ka “kriminalitet të lartë” – duke përmendur specifikisht Los Angeles, Boston dhe Seattle – të gjitha qytete nën drejtimin e demokratëve.
Në përgjigje, shefi i FIFA-s, Infantino, tha: “Është sigurisht përgjegjësi e qeverisë … dhe padyshim që do të diskutojmë, po punojmë së bashku.”
Duke shmangur konfirmimin e plotë të qëndrimit, ai shtoi se “siguria është prioriteti numër një për një Kupë Bote të suksesshme”.
“Nëse mendojmë se mund të ketë ndonjë shenjë problemi, do t’i kërkoja Giannit ta zhvendosë atë në një qytet tjetër,” tha Trump, i cili drejton një task-forcë për Kupën e Botës.
“Kemi shumë qytete që do të donin ta organizonin atë dhe do ta bënim shumë në mënyrë të sigurt”, shtoi ai.
Pas kërcimit me këngën e tij të preferuar “YMCA” nga Village People në ceremoni, Trump dha disa intervista dhe foli mbi mundësinë e zhvendosjes së ndeshjeve edhe me shumë pak kohë para turneut, gjë që do të sillte kosto të mëdha.
“Jo, nuk dua ta bëj këtë, por po ju them se nëse kanë një problem, deri sa të vijë koha, ne do ta zgjidhim atë problem,” i tha “Fox News”.
“Mund ta zgjidhim atë problem. E kam dëshmuar këtë në Uashington dhe kudo tjetër ku kemi qenë, dhe do ta zgjidhim shumë lehtë. Nëse kanë një problem, shpresoj që do të na e bëjnë të ditur dhe ne do të zgjidhim çdo problem”, tha ai.
Ndeshja e parë e turneut do të jetë Meksika kundër Afrikës së Jugut në Mexico City më 11 qershor, ndërsa ndeshja e parë në tokën amerikane do të jetë ajo mes skuadrës së Mauricio Pochettinos dhe Paraguait në “SoFi Stadium” në Inglewood një ditë më vonë.
Pasi një vit më parë pati në dorë trofeun e Kupës së Klubeve, Trump mori një medalje dhe një trofe të veçantë kur u vlerësua nga FIFA me çmimin e ri – i dhënë një individi që ka “ndihmuar në bashkimin e njerëzve në mbarë botën në paqe dhe meriton një vlerësim të veçantë”.
I vlerësuar për “ndërmjetësimin e armëpushimeve dhe promovimin e angazhimeve diplomatike”, Trump e quajti këtë “një nga nderimet më të mëdha të jetës sime” dhe pretendoi se ka “shpëtuar miliona e miliona jetë” falë përpjekjeve të tij./GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...