Recension i librit "Shëndeti dhe Sëmundja" - Gazeta Express
string(40) "recension-i-librit-shendeti-dhe-semundja"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

26/11/2025 15:02

Recension i librit “Shëndeti dhe Sëmundja”

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

26/11/2025 15:02

Shkruan: Prof. Dr. Naser Ramadani

Vështrim Gjithëpërfshirës Filozofik dhe Epidemiologjik

Libri “Shëndeti dhe Sëmundja-Vështrim Gjithëpërfshirës Filozofik dhe Epidemiologjik” i shkruar nga Prof. Dr. Eduard Kakarriqi trajton marrëdhënien komplekse midis shëndetit dhe sëmundjes, duke ofruar një perspektivë të thellë filozofike dhe epidemiologjike. Në këtë libër, autori ndihmon në kuptimin e konceptit të shëndetit përtej aspekteve mjekësore, si një nga vlerat tona më të rëndësishme, duke shqyrtuar faktorët social, mjedisor dhe kulturor që ndikojnë në shëndetin e individëve dhe popullsive si mekanizëm dinamik i cili ndryshon gjatë jetës i cili duke devijuar nga baraspesha e funksionimit normal të trupit dhe mendjes, i shoqëruar me ndryshime strukturore, funksionale dhe psikologjike rrëshqet kah sëmundja me shkaktarët etiologjik të nduarnduarshëm.

Para lexuesve është ky libër i llojit të veçantë me mbi 1200 faqe, i cili prezenton një filozofi të re të të menduarit në mjekësinë shqiptare.

Autori ua paraqet lexuesve thelbin e brendisë së veprës qysh në titullin e saj. Libri fillon me një strukturë të qartë: përkufizime themelore, nga një këndvështrim filozofik teorik dhe mënyrën se si epidemiologjia e kupton dhe e koncepton shëndetin dhe sëmundjen (epidemiologjia praktike e terrenit dhe klinike) në etiologji, diagnozë, prognozë dhe parandalim: duke filluar me përshkrimin e hollësishëm të shëndetit, konceptet e raportit shëndeti dhe sëmundja dhe raportet e shëndetësisë publike me mjekësinë klinike; duke përcaktuar mënyrën e të menduarit dhe vendimmarrjes në mjekësi nëpërmjet vlerave dhe normave; duke komunikuar e shkëmbyer përvojat mes kolegëve në njërën anë dhe pretendimet e njohurive mes profesionistëve dhe pacientëve; qasja holisitike (shëndeti nuk pasqyrohet vetëm nga një organ ose parametër, por nga integrimi i këtyre komponentëve, treguesve, përcaktorëve, dimensioneve dhe koncepteve tjera në një dinamikë të tërësishme të jetës sonë me fuqinë e ndikimeve sociale, ekonomike, politike dhe mjedisore në shëndet); deri tek filozofia bashkëkohore e ripërkufizimit të shëndetit dhe normalitetit ku çdo individ është unik dhe normaliteti është një koncept relativ.

Ky libër fton lexuesin që ta pasurojë mendjen me një ndërthurje të kuadrit teorik dhe praktik për të kuptuar shëndetin dhe sëmundjen jo vetëm si realitete biologjike, por edhe si kategori konceptuale, filozofike dhe shoqërore, i cili për një audiencë të specializuar është i dobishëm duke ndihmuar profesionistët të shohin përtej patologjisë klinike dhe të kuptojnë dimensionet biopsikosociale të pacientit, dimensionet epistemologjike dhe ontologjike.

Duhet posaçërisht theksuar se Profesor Kakarriqi diskuton se si filozofia mund të ndihmojë në formësimin e politikave shëndetësore dhe në përmirësimin e strategjive për parandalimin e sëmundjeve. Ai theksoi rëndësinë e një qasjeje multidimensionale për të adresuar sfidat shëndetësore, duke përfshirë edukimin, ndërgjegjësimin dhe qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore dhe qasjen në hulumtimet, mbikëqyrjen, grumbullimin dhe analizën e të dhënave epidemiologjike.

Prof. Dr. Eduard Kakarriqi, në librin e tij “Shëndeti dhe Sëmundja: Vështrim gjithëpërfshirës filozofik dhe epidemiologjik”, ka përshkruar konceptet e shëndetit dhe sëmundjes në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për publikun shqipfolës. Ai e ka arritur këtë duke u fokusuar në disa aspekte kryesore që e bëjnë tekstin mjaft informues dhe të qasshëm:

• Gjuha e thjeshtë dhe e qartë: Autori përdor një gjuhë të thjeshtë dhe terminologji origjinale shqipe dhe mjekësore të unifikuar për të përshkruar koncepte komplekse. Kjo e bën librin të kuptueshëm për një audiencë të gjerë, përfshirë edhe individ që nuk kanë një sfond të fortë në mjekësi ose shkenca shëndetësore.

• Struktura e organizuar: Libri është i organizuar në kapituj të strukturuar mirë, çka lehtëson navigimin nëpër tema të ndryshme duke trajtuar aspekte të veçanta të shëndetit dhe sëmundjes dhe duke e bërë informacionin më të lehtë për t’u absorbuar. Radhitja e çdo kapitulli është kryer sipas një logjike dhe është potencuar rëndësia që kanë ato për t’u kuptuar në mënyrë të lehtë dhe bindëse.

• Modulet edukative: Autori prezanton materiale në formë modulore, që ofrojnë informacion të detajuar mbi sjelljet pozitive dhe negative, modelet e shëndetit dhe parimet e ruajtjes së shëndetit. Kjo ndihmon lexuesit të ndajnë njohuritë në mënyrë të organizuar dhe sistematike.

• Shembuj praktik: Përdorimi i shembujve praktik dhe analiza të rasteve konkrete e pasuron tekstin dhe ndihmon për të ilustruar rëndësinë e normave shëndetësore dhe sjelljeve të shëndetshme në përditshmërinë e individëve duke rivlerësuar kujdesin për shëndetin individual e shëndetin e komunitetit në origjinë (Salutogjeneza).

• Shqyrtime filozofike dhe epidemiologjike: Kjo qasje filozofike ndihmon lexuesit të kuptojnë se shëndeti dhe sëmundja nuk janë thjesht fenomene biologjike, por ato janë të ndikuara gjithashtu nga faktorë socialë dhe mjedisorë. Kjo perspektivë gjithanshme është veçanërisht e rëndësishme për krijimin e politikave shëndetësore efektive.

• Informim mbi parandalimin: Libri thekson rëndësinë e parandalimit, duke përfshirë edukimin dhe ndërgjegjësimin lidhur me sjelljet që promovojnë shëndetin dhe ato që e dëmtojnë atë. Kjo qasje është e rëndësishme për ngritjen e vetëdijes në mesin e individëve dhe komuniteteve.

• Dimensionet psikologjike dhe sociale: Kjo është një nga fokuset e këtij libri, ku Kakarriqi shqyrton se si faktorët psikologjikë dhe socialë ndikojnë në shëndetin e individëve. Kjo ofron një këndvështrim më të gjerë mbi sëmundjen, duke e parë atë si një proces që prek më shumë se thjesht aspektet fizike.

• Literatura: Libri është pasuruar me të dhëna bashkëkohore me mbi 1500 referenca, libra e tekste shkollore që reflektohen në të 46 kapitujt.

Bazuar në përvojën mbi dyzet vjeçare në mjekësi dhe eksperiencën e gjatë në mësimdhënie universitare dhe në hulumtimet kërkimore-shkencore, autori ka ditur të bëj strukturimin e librit për të gjitha kategoritë e lexuesve me një audiencë të gjërë duke vendosur kapitujt në një harmoni dhe lidhshmëri perfekte. Libri është konceptuar për si studentë të mjekësisë në të gjitha nivelet, studentët në master shkencor e profesional, studentët kandidat PhD, profesionistë të shëndetësisë, epidemiolog, filozof të mjekësisë ashtu edhe duke ofruar një përdorim të gjërë edhe në shkencat infermierike, menaxheriale, juridike, ekonomike, filozofike, psikologjike, biologjike si dhe profesionistët e shkencave politike dhe për këdo i cili është i interesuar të mësojë më shumë duke reflektuar mbi çështjet etike të ngritura nga mjekësia moderne.

Teksti ka rol pionier duke pasuruar gjuhën shqipe me një literaturë vendore në një fushë kaq të gjërë, ku zakonisht mbështetemi vetëm në libra të huaj.

Ky libër është një burim i rëndësishëm për ata që dëshirojnë të thellojnë njohuritë e tyre rreth shëndetit dhe sëmundjes, duke ofruar një perspektivë të pasur dhe të integruar, duke përforcuar kornizat moderne të të menduarit mbi shëndetin e sëmundjen dhe duke vendosur paradigmën shkencore dhe filozofike ku shëndeti dhe sëmundja nuk mund të reduktohen vetëm në biologji, por duhen parë në ndërveprimin e biologjisë, psikologjisë dhe faktorëve socialë i cili është sot modeli dominues në mjekësi, psikologji dhe shëndetësi publike. Shëndeti si një gjendje e padukshme, që ne e kuptojmë vetëm kur humbet (kur sëmuremi) është trajtuar jo thjeshtë mungesa e sëmundjes, por një ekuilibër i jetës që përfshin trupin, shpirtin dhe marrëdhëniet shoqërore.

Libri ka meritë të veçantë pasi ofron një perspektivë vendore dhe i fut lexuesit shqiptarë në panoptikum debati mbi shëndetin dhe sëmundjen duke e lidhur me traditën filozofike dhe shkencore ndërkombëtare duke e zgjëruar përdorimin e tij si literaturë bazë akademike, ku autori me një erudizëm të rrallë qet në pah epidemiologjinë si logjikë e të menduarit në mjekësi, ku konceptet themelore janë qasur në mënyrë multidisiplinare ndaj problemeve të parashtruara.

Autori frymëzon profesionistët shëndetësor që t’i qasen problemeve mjekësore në një dimension holitisk të ndërlidhur me perin e kuq, për të përforcuar vendimmarrjen më cilësore profesionale dhe menaxheriale dhe zhvillimin e udhërrëfyesve dhe protokoleve moderne.

Nga të gjitha që u përmendën dhe duke gjykuar nga përmbajtja e librit mund të them me bindje të plotë se autori, me mjeshtri të rrallë, ka dhezur reflektorët gjigant të “Atlantidës mjekësore”, duke ndriçuar thellësitë e njohurive të shëndetësisë publike.

Vepra mbetet e hapur: ajo mund të vazhdohet, ajo mund të zgjërohet, ajo mund të thellohet, ajo është vetë “fjalëkalimi në mjeksinë moderne të rimodeluar”.

Duke pasur parasysh të gjitha kriteret shkencore. etike dhe profesionale, libri “Shëndeti dhe Sëmundja-Vështrim Gjithëpërfshirës Filozofik dhe Epidemiologjik” i autorit Eduard Kakarriqi padyshim do të mbetet gjatë në përdorim nga profesionistët mjekësor dhe lexuesit e të gjitha disiplinave si një libër referencë, manual praktik, udhërrëfyes, kompas klinik, mega vade mecum, ndërfaqe tërësore.

Autorit Prof. Dr Eduard Kakarriqi i dëshiroj jetë të gjatë e të shëndetshme, veprimtari krijuese të frytshme, e nga pena e tij të lërohen veprat me të cilat do të krenohemi ne dhe mjekësia shqiptare.

Prof. Dr. Naser Ramadani