Të martën, Barcelona përballet me Chelsean në “Stamford Bridge”, një stadium ku ata kanë një kujtim të veçantë të bukur: goli i vonshëm i Andres Iniestas që i çoi në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2009.
Barcelona ishte drejt eliminimit nga Liga e Kampionëve deri në golin e Iniestas, i cili erdhi në minutat shtesë.
Ai siguroi që skuadra e Pep Guardiolas të kualifikohej në finalen kundër Manchester United, të cilin e mposhtën 2-0 për të kompletuar tripletën historike.
Duke folur për “Sport”, Iniesta foli për atë kujtim para rikthimit të Barcelonës në “Stamford Bridge” të martën.
“Duket sikur ishte dje, 16 vite më parë, por kujtimet janë të gjalla. Është e pamundur të mos e kujtosh, sa herë që e sheh apo e mendon atë gol emocionohesh, për golin dhe për gjithçka që ndodhi më pas. Ishte çmenduri”, tha ai fillimisht.
“Ai kishte një rëndësi të jashtëzakonshme. Nuk e kufizoj vetëm tek ai moment sepse shumë gjëra duhej të ndodhnin, shumë situata dhe shumë ndeshje që të mbërrinim aty. Nëse flasim vetëm për atë moment, është i pabesueshëm – në nivel personal, isha njeriu më i lumtur në botë, pata mundësinë të shënoja atë gol dhe t’i bëja të lumtur miliona njerëz dhe klubin tonë. Dhe pastaj fakti që përfunduam duke fituar Ligën e Kampionëve dhe tripletën. Ishte një periudhë për të qarë pothuajse çdo ditë”, shtoi ai.
Barcelona shpreson t’u japë tifozëve festime të ngjashme të martën, kur të shkruajnë kapitullin e radhës në “Stamford Bridge”.
Skuadra e Hansi Flick vjen në këtë ndeshje me moral të lartë pas fitores 4-0 ndaj Athletic Club fundjavën e kaluar, dhe shanset e tyre janë rritur me lajmin se Cole Palmer nuk do të jetë i disponueshëm për Chelsean.
Megjithatë, ata do të jenë pa yllin e tyre Pedri, i cili nuk do të rrezikohet në Londër./GazetaExpress/