Leutrim Krasniqi do t’i japë fund eksperiencës tek Dinamo.
Trajneri i ri kosovar po largohet prej klubit nga Ferizaj pas dy muajsh e gjysmë.
Dhe, “Gazeta Express” nga burime të sigurta mëson se ish-trajneri i Lirisë do ta marrë në dorë Vëllaznimin, i cili së fundmi u nda me Xhengis Rexhepi.
Kështu, Krasniqi do të rikthehet në fakt në Gjakovë, ku e kishte një eksperiencë mjaft pozitive me Kuqezinjtë, por që palët ishin ndarë papritmas me kërkesë të gjakovarëve.
Me Leutrim Krasniqin në krye, Vëllaznimi synon të rikthehet në Superligë, ndonëse ka mbetur paksa prapa lideres, Vushtrria.
Ai pritet të nënshkruajë kontratë për një vit e gjysmë.
Siç dihet, në fundjavën që shkoi u mbyll pjesa vjeshtore e Ligës së Parë, ndërsa gjakovarët e shohin veten në pozitën e gjashtë me 6 pikë më pak se vushtrriasit. /Gazeta Express