Dy kombëtare të vogla karibiane, Haiti dhe Curaçao, shkruajnë faqe të reja në futbollin ndërkombëtar duke siguruar kualifikimin për Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Haiti, që mungonte në Botëror prej më shumë se 50 vitesh, mposhti Nicaragua 2-0 dhe përfundoi e para në grup, duke lënë pas favoritet Honduras dhe Costa Rica.
Kualifikimi ka një rëndësi simbolike për Haitin, pasi fitoreja erdhi më 18 nëntor, datë e njohur për Betejën e Vertières, e cila çoi në pavarësinë e vendit më 1804.
Nga ana tjetër, Curaçao, me vetëm 156,000 banorë, bëhet kombi më i vogël në histori që kualifikohet në një Botëror, duke tejkaluar Islandën e 2018-s.
Ekipi, i drejtuar nga trajneri legjendar Dick Advocaat (78 vjeç), përbëhet kryesisht nga lojtarë nga diaspora holandeze dhe nga klube të vogla në Evropë dhe Azinë Perëndimore, shkruan Gazeta Express.
Përveç Haitit dhe Curaçaos, Panama gjithashtu kualifikohet për Botërorin e 2026, duke siguruar pjesëmarrjen e saj të dytë pas 2018. Suksesi u arrit me fitoren 3-0 ndaj El Salvador, falë golave të César Blackman, Erick Davis dhe Jose Luis Rodriguez.
Kualifikimet e këtyre skuadrave vogla dhe historike janë një shenjë se futbolli ndërkombëtar po shkon drejt diversitetit, duke i dhënë shans skuadrave të vogla për të shkëlqyer në skenën më të madhe botërore.
Botërori 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik, me ndeshje të shpërndara në SHBA, Kanada dhe Meksikë. /GazetaExpress/