Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka konfirmuar se ndeshja e sontme mes Kosovës dhe Zvicrës do të luhet pa asnjë problem, pavarësisht motit me shi.
Gjatë ditës ishin ngritur pyetje se nëse do të mund të luhet ndeshja, shkaku i shiut të madh që po bie në Prishtinë që nga mëngjesi.
Mirëpo, këto zëra të ‘shtyerjes’ së ndeshjes i ka mohuar vetë kryetari Ademi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Ai ka thënë se gjithçka është gati për ndeshjen e sontme.
“Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme! Ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend. Fusha na pret, tribunat janë gati të mbushen me emocion, zëra e brohorima. Tani është momenti ynë, është koha e ekipit dhe tifozëve! Shihemi në stadium!”, ka shkruar Ademi.
Ndeshja Kosovë – Zvicër zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.
Kjo ndeshje i përket xhiros së fundit për kualifikimet e Botërorit të vitit 2026./GazetaExpress/