Kosova, pa asnjë grua në pushtet lokal: çfarë nuk po ndryshon? - Gazeta Express
string(59) "kosova-pa-asnje-grua-ne-pushtet-lokal-cfare-nuk-po-ndryshon"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/11/2025 12:38

Kosova, pa asnjë grua në pushtet lokal: çfarë nuk po ndryshon?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/11/2025 12:38

Shkruan: Nikollë Uka

Për të dytin mandat radhazi, asnjë grua nuk është zgjedhur kryetare komune në Kosovë.

Një vend që shpesh krenohet me vlerat demokratike, po tregon se barazia gjinore në politikë ende nuk ka rrënjë të forta.

Në Kosovë, për të dytin mandat me radhë, asnjë grua nuk është në krye të ndonjë komune.

Kjo nuk është vetëm një statistikë e zgjedhjeve lokale është pasqyrë e realitetit tonë shoqëror, që dëshmon se barazia gjinore ende nuk është përkthyer në vetëdije politike.

Në një vend ku gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë, mungesa e tyre në krye të institucioneve lokale është tregues i një kulture që ende e lidh pushtetin me burrërinë.

Pse një burrë shihet si më i aftë për të qeverisur, ndërsa një grua jo?

A është mungesë besimi, apo ende sundon bindja se politika kërkon forcë e jo dije?

Në realitet, shpesh kandidati mashkull shihet si “më i fortë”, “më me lidhje”, “më i aftë për të negociuar”, ndërsa një grua përballet me dyshime, nënvlerësim dhe paragjykim.

Por a nuk është më e rëndësishme që një udhëheqës të jetë i ndërgjegjshëm, i besueshëm dhe me vizion për komunitetin, sesa pjesë e “lojërave të tenderëve dhe interesave”?

Siç ka thënë Hillary Rodham Clinton:

“Kur gratë marrin pjesë në jetën politike, shoqëritë bëhen më të drejta, më të qëndrueshme dhe më paqësore.”

Kjo thënie përmbledh thelbin e asaj që i mungon Kosovës në nivel lokal: balanca, ndershmëria dhe diversiteti në vendimmarrje.

Përderisa pushteti lokal mbetet i dominuar nga burrat, Kosova humbet një perspektivë të vlefshme, qasjen e grave ndaj qeverisjes me ndjeshmëri, ndershmëri dhe përgjegjësi.

Mungesa e grave në udhëheqje nuk është vetëm çështje përfaqësimi, por matës i pjekurisë demokratike së një vendi.

Ka gra të afta, të arsimuara e me integritet që mund të drejtojnë me sukses çdo komunë të Kosovës. Por për ta bërë këtë të mundur, duhet të ndryshojë vetëdija e votuesit dhe mënyra se si partitë politike e shohin përfshirjen e grave, jo si dekor, por si potencial real udhëheqës.

Në fund të fundit, barazia gjinore në politikë nuk është privilegj, është e drejtë.

Dhe derisa gjysma e popullsisë nuk përfaqësohet në qeverisje, demokracia e Kosovës mbetet e cunguar.