Milani është në kërkim të një sulmuesi të ri, pasi paraqitjet e Santiago Gimenez kanë lënë shumë për të dëshiruar.
Ai nuk ka shënuar asnjë gol në kampionat këtë sezon, shkruan “Gazeta Express”.
Edhe pse kuqezinjtë kanë mundësinë të luajnë me Rafael Leao dhe Christopher Nkunku në vijën e sulmit, një “numër 9” i vërtetë mund t’i kthente ata në favoritë për garën e titullit në Serie A.
Një nga opsionet që është shfaqur është ai i Robert Lewandowskit të Barcelonës.
Sulmuesi polak do të jetë i disponueshëm si transferim i lirë pas përfundimit të këtij sezoni.
Pas një sezoni shumë produktiv, këtë vit ai ka hasur vështirësi për të siguruar një vend të përhershëm në formacionin e Blaugranave.
Sipas “calciomercato.com”, Milan pritet të nisë bisedimet me agjentin e tij, Pini Zahavi, me të cilin klubi ka marrëdhënie të mira.
Është pak e mundur që Lewandowski të largohet në janar, pasi i ka dhënë fjalën presidentit Joan Laporta se do të qëndrojë deri në verën e vitit 2026.
Megjithatë, edhe pse prioriteti i Milanit është të sigurojë një sulmues sa më shpejt, afrimi i Lewandowskit sezonin e ardhshëm shihet si një mundësi shumë e mirë./GazetaExpress/