Ylli i Manchester Unitedit, Harry Maguire, ka zbuluar arsyen pse vendosi të ndryshojë emrin e tij kur ishte 18 vjeç.
Maguire, 32 vjeç, u rrit në akademinë e Sheffield United përpara se të luante për Hull City, Wigan Athletic dhe Leicester City.
Pas disa paraqitjeve mbresëlënëse me Leicesterin, ai tërhoqi interes nga shumë klube, por në fund u bashkua me Manchester United në një marrëveshje me vlerë 80 milionë paund.
Në atë kohë, marrëveshja e bëri Maguiren mbrojtësin më të shtrenjtë në botë.
Që atëherë, ai ka bërë 254 paraqitje për “Djajtë e Kuq”, duke shënuar 17 gola, dhe është bërë një nga figurat më të njohura të futbollit anglez, me 64 ndeshje për kombëtaren e Anglisë.
Edhe pse është përballur me kritika gjatë kohës së tij në Old Trafford, Maguire ka rikthyer formën në muajt e fundit, duke fituar besimin e trajnerit Ruben Amorim.
Së fundmi, Maguire ka zbuluar se emri i tij i lindjes ishte në fakt Jacob Harry Maguire, por vendosi ta ndryshonte kur mbushi 18 vjeç.
Në një intervistë për “TNT Sports”, ai shpjegoi: “Mamaja ime vendosi të më quante Jacob Harry [Maguire] kur linda. Pastaj, pas tre muajsh, njerëzit nisën të më thërrisnin ‘Jakey’. Asaj nuk i pëlqente, kështu që e ktheu përmbys në Harry Jacob [Maguire]”. Ai vazhdoi: “Por ajo nuk mund ta ndryshonte në pasaportë deri sa unë të isha 18 vjeç. Sapo mbusha 18, e ndryshova zyrtarisht, kështu që tani emri im ligjërisht është Harry Jacob”./GazetaExpress/