Reperi i njohur rrëfen në një intervistë se do të pranonte të futej në Big Brother VIP vetëm nëse formati do të kishte një version “burg”, duke i bërë edhe një thirrje produksionit.
Artisti i njohur i muzikës shqiptare, Don Phenom, ishte së fundmi i ftuar në emisionin “Pardon My French”, ku foli hapur për karrierën, projektet e reja dhe jetën personale. Por, ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte deklarata e papritur e reperit për Big Brother VIP Albania.
I pyetur nga moderatori Niko Komani nëse do të pranonte të bëhej pjesë e reality show-t më të ndjekur në vend, Don Phenom e bëri të qartë se do të hynte në shtëpi vetëm me një kusht shumë specifik.
“Në Big Brother mund të futem vetëm nëse është formati që të burgosin. A e dini që është një format i Big Brother-it në botë që të burgosin? Vetëm ashtu mund të futem,” — tha ai mes të qeshurash.
Reperi sqaroi se për të, një version “burg” i formatit do të ishte sfidues dhe interesant, pasi do të nxirrte në pah durimin, karakterin dhe kontrollin emocional të pjesëmarrësve.
“Sepse është talent nervash, nuk e di a kam edhe aq talent të duroj. Nuk do të toleroj, se do më vijë në majë të hundës. Aty është kush mund të jetë më i zoti që të mos shpërthejë. Unë debatet i kisha përballuar, por ofendimet jo,” — shtoi ai.
Don Phenom theksoi gjithashtu se nuk do të pranonte të hynte në shtëpi vetëm për famë apo show, pasi nuk e sheh veten të përshtatshëm për tipin klasik të formatit:
“Janë disa pika shumë delikate ku mund të përfshihet familja, dhe unë nuk dua të shkoj deri aty. Më mirë po rri kështu. Po bëj tifozin nga larg.”
Megjithatë, artisti nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e pjesëmarrjes, duke lënë një “derë të hapur” për produksionin:
“Formati është i bukur dhe në qoftë se do të ishte ai formati i burgut brenda, do të ishte perfekt për mua. Atëherë unë do të kisha ditur si të merresha. Kështu që, drejtora, ju lutem futeni burgun brenda, vendoseni opsionin e tillë dhe Doni futet direkt. Atëherë ne e shohim se sa nerva kanë.”
Deklarata e tij ka ngjallur shumë reagime në rrjet, ku fansat kanë komentuar me humor dhe kanë nisur të imagjinojnë Don Phenom si banor të “BBV5” me një format “prison-style”, që padyshim do të sillte shumë energji dhe skena epike. /GazetaExpress/