Patrice Evra ka emëruar Victor Osimhen si lojtarin për të cilin Manchester United duhet të bëjë gjithçka në merkaton e verës.
Sulmuesi nigerian, aktualisht pjesë e Galatasarayt, është lidhur prej kohësh me një kalim në Premier League, por deri tani asnjë marrëveshje nuk është konkretizuar. Pas periudhave të suksesshme në Francë dhe Itali, përfshirë titullin e Serie A me Napolin, Osimhen ka vazhduar të shkëlqejë edhe në Turqi, ku ka shënuar 59 gola në 74 paraqitje për Galatasarayn.
Evra beson se United ka nevojë për një sulmues të mirëfilltë, sidomos nëse dëshiron të konkurrojë në disa fronte.

“Osimhen. Kam shumë respekt për Galatasarayn, për dashurinë që merr atje dhe për atë që është si lojtar. Por Manchester United ka nevojë për një sulmues të vërtetë”, tha Evra.
Ish-mbrojtësi i Unitedit theksoi se në kohën e tij klubi kishte katër sulmues të jashtëzakonshëm dhe se një skuadër që synon trofe në çdo garë nuk mund të mbështetet vetëm te një emër.
“Kam respekt për sulmuesit që janë te United, por nëse do të luash në të gjitha kompeticionet, të duhen më shumë sulmues. Sigurisht, duhen edhe mbrojtës, një mbrojtës i majtë shtesë, ndoshta edhe një i djathtë. Casemiro po largohet, kështu që duhet zëvendësuar. Por nëse duhet të zgjedh një lojtar, them Osimhen, sepse e di që ai mund të bëjë diferencën”, shtoi Evra.
Edhe Louis Saha më herët ka kërkuar që United të lëvizë për Osimhenin. Ish-sulmuesi francez e cilësoi nigerianin si një lojtar me karakter, cilësi dhe përvojë europiane.
“Ai ka shënuar në çdo nivel. Ka përvojë në Champions League dhe ka personalitetin që kjo skuadër e Unitedit ka nevojë. Mendoj se do të ishte një transferim transformues për Manchester United”, kishte thënë Saha.

Rio Ferdinand gjithashtu ishte ndër ata që donin ta shihnin Osimhenin në “Old Trafford”, para transferimit të tij te Galatasaray për 64 milionë funte në vitin 2025.
United ndërkohë ka Benjamin Seskon si sulmues kryesor, pas transferimit të tij prej 74 milionë funtesh dhe sezonit debutues me 12 gola. Megjithatë, me rikthimin në Ligën e Kampionëve dhe me Michael Carrick tashmë trajner të përhershëm, klubi pritet të kërkojë më shumë fuqi në sulm për të qenë konkurrues në të gjitha garat. /GazetaExpress/