Aktori i njohur i Hollywood-it, Alec Baldwin, dhe vëllai i tij, Steven Baldwin, janë përfshirë në një aksident rrugor në East Hampton, Nju Jork.
Sipas mediave ndërkombëtare, automjeti i tyre, një Range Rover i bardhë në pronësi të bashkëshortes së Alec Baldwin, Hilaria, është përplasur me një pemë pasi aktori tentoi të shmangte një kamion të madh mbeturinash që kishte bllokuar rrugën.
Ngjarja ndodhi teksa dy vëllezërit po udhëtonin drejt Festivalit të Filmit në Hamptons. Për fat të mirë, përplasja nuk pati pasoja serioze dhe të dy dolën pa lëndime.

Vetë Baldwin, 67 vjeç, e bëri publik lajmin përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ku tregoi se pavarësisht incidentit, gjendja e tij dhe e vëllait është e mirë:
“E përplasa makinën e gruas sime dhe ndihem keq për këtë, por gjithçka është në rregull. Jam mirë, vëllai im është mirë,” – tha aktori.
Në mesazhin e tij, Baldwin nuk e fshehu as ndjenjën e humorit e as dashurinë për bashkëshorten, duke i drejtuar një dedikim të ndjerë:
“Hilaria, të dua më shumë se çdo gjë dhe jam shumë krenar për ty.”
Aktori gjithashtu falënderoi fansat për mesazhet e shumta të mbështetjes që mori pas publikimit të videos:
“Faleminderit për shqetësimin tuaj.”
Ky incident vjen në një periudhë të ndjeshme për aktorin, i cili prej kohësh ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për arsye profesionale dhe personale. Megjithatë, lajmi i mirë është se këtë herë bëhet fjalë vetëm për një incident të vogël, pa pasoja shëndetësore për të dhe vëllain e tij.