Për herë të parë në historinë e tyre publike, Kim Kardashian dhe nëna e saj, Kris Jenner, kanë vendosur të ndjekin rrugën ligjore përballë akuzave që i konsiderojnë shpifje dhe të rënda.
Dy yjet e njohura të reality-show “Keeping Up With The Kardashians” kanë ngritur një padi për shpifje ndaj ish-partnerit të Kim-it, muzikantit Ray J, i cili prej kohësh ka qenë në qendër të përfoljes për shkak të së kaluarës së tij me familjen Kardashian.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Daily Mail, Kris Jenner dhe Kim Kardashian pretendojnë se Ray J është përfshirë në një “fushatë të vazhdueshme ngacmimi dhe shpifjeje” kundër tyre për më shumë se dy dekada.
Padia pason deklaratat e fundit tronditëse të muzikantit, i cili gjatë një transmetimi live në rrjetet sociale u shpreh se familja Kardashian ishte nën hetim federal, duke përmendur madje edhe një padi të mundshme në kuadër të Akti Federal RICO – një ligj i përdorur zakonisht për të luftuar organizatat kriminale dhe rastet e zhvatjes.
Në videon e shpërndarë gjerësisht në internet, Ray J u shpreh:
“Akti federal RICO që do të vendos mbi Krisin dhe Kim do të çmendet. Po flas për mua, jam në lajme çdo ditë. Do të them shumë budallallëqe. Kushdo që është dakord me Kim-in, duhet t’i thotë tani se po vijnë agjentët federalë. Nuk kam çfarë të bëj unë për këtë.”
Avokatët e Kardashian-Jenner e kanë cilësuar këtë deklaratë si një shpifje të qëllimshme dhe jashtë çdo realiteti. Sipas tyre, Ray J nuk ka qenë kurrë në gjendje të pranojë fundin e marrëdhënies së shkurtër me Kim Kardashian në vitin 2007 dhe vazhdon të përpiqet të lidhet me emrin e familjes së saj për të tërhequr vëmendje dhe përfitime personale.
Një hap ligjor i paprecedentë për familjen Kardashian
Kjo është hera e parë që Kris Jenner dhe Kim Kardashian vendosin të çojnë dikë në gjykatë për shpifje, duke e bërë rastin veçanërisht të rëndësishëm. Familja është shpesh në qendër të vëmendjes mediatike dhe është përballur me dhjetëra spekulime ndër vite, por sipas tyre, deklaratat e fundit të Ray J kanë kaluar çdo kufi dhe rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin dhe imazhin e tyre publik.
Alex Spiro, avokati i tyre, tha për Daily Mail:
“Kris Jenner dhe Kim Kardashian nuk kanë ngritur kurrë më parë një padi për shpifje dhe as nuk janë shpërqendruar nga zhurma, por kjo akuzë e rreme dhe serioze nuk la zgjidhje tjetër.”
Padia e re pritet të hapë një betejë të gjatë ligjore mes dy palëve, ndërkohë që historia e marrëdhënies së dikurshme mes Kim Kardashian dhe Ray J, e cila solli në qendër të vëmendjes edhe publikimin e famëkeq të një videoje intime në vitin 2007, vazhdon të rikthehet herë pas here në skenë.
Nëse gjykata do të japë të drejtë Kardashian dhe Jenner, kjo padi mund të shënojë një precedent të ri për mënyrën se si figurat publike në Hollywood i adresojnë shpifjet dhe akuzat që përhapen përmes rrjeteve sociale. /GazetaExpress/