Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Peter Covey të mërkurën ka thënë se nuk ka njohuri për sulme të drejtpërdrejta ndaj Hashim Thaçit për shkak të deklaratave të tij me thirrje për tolerancë në mes grupeve etnike.
Ai tha se edhe në procese të tjera jashtë Kosovës, deklaratat e tilla i vënin në rrezik njerëzit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk kam njohuri për sulme të drejtpërdrejta ndaj tij ose që lidhen me deklaratat e tij, por mendoj që kur e kam përmendur këtë kam thënë në kontekst më të gjerë. Pra, deklarata të tilla, jo vetëm në rastin e Kosovës por në proceset e paqebërjes në përgjithësi, i vënin njerëzit shumë në rrezik nga pikëpamja politike, por edhe personale e fizike”, tha dëshmitari.
Si rrjedhojë, Covey u pyet se a ka dijeni që UÇK-ja shënjestronte LDK-në dhe FARK-un.
“Kam më pak njohuri për shënjestrimin e LDK-së, por po jam në dijeni të faktit se kishte raporte sa i takon asaj që ata shenejstronin FARK-un”, tha ai.