Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Takimin e Nivelit të Lartë të Qendrës Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi”, i zhvilluar në Harvard Club, New York.
Ky forum mblodhi së bashku krerë shtetesh e qeverish, personalitete botërore dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare për të diskutuar mbi temën “Multilateralizmi në Udhëkryq: Sfidat dhe Rrugët drejt Paqes”.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se njerëzimi ndodhet në një udhëkryq dhe se zgjedhja e vetme është bashkëpunimi për të ndërtuar një rend më të drejtë dhe paqësor.
“Për vendet e vogla si Shqipëria, multilateralizmi është themeli i sigurisë sonë dhe garancia e zërit tonë në çështjet botërore,” deklaroi ai, duke vënë në dukje rëndësinë e institucioneve të forta dhe gjithëpërfshirëse.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tensioneve të tjera ndërkombëtare, Presidenti Begaj nënvizoi se këto janë dëshmi të kostos që paguan bota kur multilateralizmi dobësohet.
Ai theksoi se reformat dhe ripërtëritja e institucioneve ndërkombëtare janë të domosdoshme për të përballuar mangësitë e sistemit aktual.
Presidenti Begaj rikujtoi gjithashtu se përvoja pozitive e dialogut dhe e gjithëpërfshirjes ka treguar se vetëm nëpërmjet uljes në një tryezë të përbashkët të kombeve të mëdha e të vogla mund të kapërcehen sfidat globale.
“Pa multilateralizëm, bota jonë do të ishte më e përçarë, më e paqëndrueshme dhe më pak e drejtë,” theksoi ai.
Kreu i Shtetit rikonfirmoi vizionin e tij për institucione më gjithëpërfshirëse, më të përgjegjshme dhe më të afta për t’iu përgjigjur krizave me qëllim garantimin e një paqeje të qëndrueshme.