Këto dy tregime duhet t’i ruajmë e t’i përcjellim te breznitë e reja si vlera të përbashkëta ushqyese, dhe dëshmi të forcës që kishin njerëzit e vendit tonë, për të rezistuar dhe për ta goditë robërinë e të keqen. Dhe duke kujtuar këto dy tregime, ne mësojmë kush ishim dje, por më e rëndësishmja, mund ta kuptojmë saktësisht se çfarë vlere sublime përfaqësonte perëndimi për ne, pa të cilin, jetohet keq dhe theqafja është pashmangshme
Ndue Ukaj
Drama e kombit shqiptar, me tragjizmin e vet dhe pasoja të rënda, nis në shekullin XV, më saktësisht, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, në dimrin e zymtë të vitit 1468, dhe si e tillë, me përmasa tragjike, dhunë, terror, robëri, vazhdoi deri në qershor të vitit 1999, kur, në Kosovë, në mënyrë madhështore u prit ushtria e lirisë së NATO-s, që hapi shtigje për krejt shqiptarët në rajon, dhe një kapitull të ri pozitiv, plot ngjarje, të një jetese në kushte lire, si kurrë më parë.
Por, janë plot shekuj ndërmjet, në të cilët, ne kemi jetuar të privuar nga të mirat më sublime të kontinentit, kemi jetuar keq, përkundër një muri, matanë të cilit, bota zhvillohej hovshëm e bukur, ndërtoheshin monumente të mrekullueshme të dijes, të artit e të kulturës, shkruheshin libra dhe bëhej art i madh.
Pra, ishte fati ynë tragjik, që, në kohën më të ndritshme të kontinentit, ne të mos ushqeheshim me të mirat e tij, të mos ishim pjesëmarrës në ngjarjet e tij e të mos përfitonim nga të mirat kulturore të tij. Sepse, jetonim përkundër Europës, ose më saktë, duke u përpjekë të mbijetonim, dhe kjo përpjekje për mbijetesë, ka krijuar zbrazëti të madhe në historinë tonë, si dhe në personalitetin e kombit shqiptar. Ishte fat i keq i yni, që deri në fundshekullin e kaluar, shqiptarëve nuk kishte si t’iu shkonte mendja për standarde dhe vlera sublime. Sepse, ishin buzë humnere, të ndarë, me mure ndërmjet, dhe në aso gjendje, shpëtimi është kryefjala.
Në historinë tonë kombëtare, ka shumë zbrazëti, sa të duket sikur i dëgjon pandërprerë kambanat e tragjedisë, kumtit, humbjeve, vajeve, tkurrjeve.
Në këtë drejtim, një prej ngjarjeve më pozitive e m të mëdha europiane për shqiptarët, ishte shfaqja në skenën politike e Ibrahim Rugovës, shkrimtarit politikan, pa të cilën nuk kishte si të ndodhte lufta e Ushtrisë Çlirimtari të Kosovës, në formatin çfarë ishte, që shqiptarët, si komb, i vendosi në hartën e Europës, duke hapë kështu një kapitull të ri për rajonin, por edhe për vetë kontinentin. Dhe, në pranverën e vitit 1999, si komb, përjetuam tranzicionin esencial historik. Perëndimi, në krye me Amerikën, bombardoi Serbinë dhe shqiptarët i bëri pjesëmarrës dhe protagonistë, në ngjarjet që do të ndodhnin më vonë në rajon.
Prandaj, tregimin e viteve të 90-ta, të krijuar e të përfaqësuar aq bukur nga Rugova dhe atë të UÇK-së, duhet t’i ruajmë, jo si tregime elektorale e as punë tallavje patriotike, për të rrëzuar dikë apo për të lartësuar dikë tjetër, por si një kthesë e madhe në historinë shqiptare. Sepse, këto dy tregime, ishin përmbushja e një ecejake të gjatë të kombit shqiptar për t’u integruar dhe për të ankoruar si komb i lirë, në mesin e kombeve të Europës.
Dihet qartësisht se deri në dekadën e fundit të shekullit XX, pra në fillimvitet e 90-ta, shqiptarët, të kudondodhur, jetonin përkundër Europës, me një mall të madh e të vuajtur, si ai djali plëngprishës, që të ktheheshin në gjirin e saj. E, kjo ndodhi, në fillim dekadën e fundit të shekullit të kaluar, kur në jetën e tyre u rikthye Europa, për çka, meritat kryesore, i mbajnë dy njerëz të mëdhenj: Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare.
…
“Ju nuk mund ta kuptoni dot se ç’do të thotë qytet i lirë, sepse ju rriteni në robëri“, shkruante Ismail Kadare në romanin e njohur “Kronikë në gur.” Këtë roman e kisha lexuar në moshë të re dhe në kushte robërie. E kisha ndie ankthin e luftës dhe krahas magjepsjes që më shkaktonte asokohe romani, gjuha e pasur, aventura letrare, kjo frazë ishte ngulitur thellë në mua. Sepse, unë i përkisja një breznie që nuk e kuptonte ç’do të thotë vend i lirë, ngaqë rritesha nën robëri.
Pra, ishte fati im dhe i breznisë sime, të rriteshim nën robëri, në një kohë të zymtë, kur, emri frikë ishte kudo, në ajër, në udhët e mbushura me policë të egër serbë, që poshtëronin njerëzit e pafajshëm dhe përhapnin dhunë, në pamundësinë që të shkolloheshim si duhet, se objektet tona shkollore, i kishte kidnapuar Serbia. Ishte një dekadë izolimi, kur jetët vyshkeshin ende pa çelë mirë, dhe një brezni e tërë, jetonte e këputur nga të mirat e qytetërimit, pa liri.
Ishte një dekadë e tmerrshme, në të cilën, në secilin zbardhje të ditës së re, e ndieje sesi i zgjeronte kufijtë frika, e cila, të shtrëngonte ankthshëm, si pranga të egra që i mbante dikush mbi duart e tua.
Në anën tjetër, kanoste varfëria, fytyra e së cilës është e shëmtuar, e frikshme, barbare. Ne e shihnim kudo të keqen, e cila, kishte vizatuar fytyrën e vet. Dhe si brez, nuk kishim asgjë në dorë, pos fjalëve, besimit dhe shpresës. Me prindër të papunë, me një gjendje gati paralize sociale, ne prisnim, si prej një forcë sipërore, të shfaqej një dorë mëshirëplote dhe të na nxirrte nga robëria drejt lirisë.
Në ato rrathë ferri, përditë e ëndërroja një Virgjil, të dilte si prej një nate të gjatë dhe të na thoshte: “çohuni, ja udha drejt tokës së lirisë, parajsës.”
Dhe ajo dorë prisnim të vinte prej perëndimi, siç ndodhi më vonë.
Unë, asokohe, isha prej atyre që i besoja prijësit Ibrahim Rugova, besimi ndaj të cilit nuk më është lëkundë kurrë, as sot. Për faktin se ai ishte i vërtetë dhe reflektim sublim i një Europe që kishte munguar shekuj të gjatë ndër ne.
Fjalët e tij, të thëna me kujdes, herë ngjanin si kambana shprese e herë në gurë këndi, të menduar e të gdhendur mirë, që do të vendoseshin në ngrehinën e re politike që aspironim ta ndërtonim.
Atëherë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq në skenë, në vitin 1997, isha student i letërsisë dhe isha i dashuruar në botën e pasur të letërsisë. Në fakt, ikja në botën e letërsisë, ishte njëlloj shpëtimi dhe arratisje prej realitetit të varfër, në të cilin bënim jetë të gjorë. Unë besoja te fjalët që kishte thënë prijësi ynë politik, Ibrahim Rugova, se ata i kishin armët, ne i kishim fjalët.
Po, fjalët ishin forca jonë dhe besimi ynë.
Dhe si një djalë i përkushtuar pas letërsisë, me mundësi minimale, me frikën që e thithnim si ajrin, unë nuk iu ndave kësaj bote, as atëherë kur u dëgjuan shushurimat se lufta po afrohej, as kur lufta vërtet erdhi, e nuk u bëra kurrë përkrahës i asaj çfarë përfaqësonte trashëgimia e UÇK-së në jetën politike të Kosovës së lirë. Por, tregimi për UÇK-në, më ka magjepsur, sidomos, guximi për ta goditë të keqen, pastaj, ato tregimet e prajshme, që i dëgjoja nga njerëz guximtarë që kishin kapë armët, të tillë që kishin qenë në struktura, kur flisnin për mundësitë e tyre të varfra për të luftuar dhe idealet qiellore për liri.
Kjo është madhështore!
Për mua dhe brezninë time, UÇK-ja u shfaq pikërisht në një kohë kur ne jetonim në njëlloj ferri, dhe atëherë, kur nisi lufta, isha i bindur se ishim në aktin e fundit të tragjedisë, pas së cilës, kush do të mbijetonte, do të shijonte frytet e lirisë.
Fatkeqësisht, shumë njerëz nuk mbijetuan, shumë u vranë, plot u zhdukën dhe shkatërrimet ishin të mëdha. Por, ne, shumë shpejt i shijuam frytet magjepse të lirisë. Si rrjedhojë, edhe shqiptarët, tani gati e tri dekada, kudo janë, jetojnë më mirë se kurdo herë në historinë e tyre qindravjeçare.
Dhe kjo falë prezencës së perëndimit në jetën e tyre.
Dhe në zinxhirin e këtyre ngjarjeve, tregimi politik që krijoi Rugova, e të cilin e admiroi perëndimi, dhe ai për UÇK-në, kanë domethënie reale, prandaj, këto dy tregime, duhet t’i ruajmë në frymën e tyre natyrale, të mos e përlyejmë, për inate e interesa tribale elektorale, të majta e të djathta, këto dy tregime duhet t’i ruajmë e t’i përcjellim te breznitë e reja si vlera të përbashkëta ushqyese, dhe dëshmi të forcës që kishin njerëzit e vendit tonë, për të rezistuar dhe për ta goditë robërinë e të keqen. Dhe duke kujtuar këto dy tregime, ne mësojmë kush ishim dje, por më e rëndësishmja, mund ta kuptojmë saktësisht se çfarë vlere sublime përfaqësonte perëndimi për ne, pa të cilin, jetohet keq dhe theqafja është pashmangshme.
FTESE PËR PJESEMARRJE Ne procedurën e tenderit/gares për dhënien/perzgjedhjen e shërbimit të qirasë për automjete të pablinduara, pa shoferë,...