Këtë fundjavë në Guadalajara, Spanjë, mbahet Kampionati Mesdhetar i karatesë, por situata për karateistët kosovarë po bëhet shqetësuese.
Sipas informacioneve të KOHA-s, transmeton GazetaExpress, organizatori i turneut po insiston që sportistët nga Kosova të paraqiten pa simbole shtetërore, një kërkesë që është refuzuar nga drejtuesit e delegacionit kosovar.
Delegacioni kosovar kundërshton
Burime brenda delegacionit bëjnë të ditur se drejtuesit e ekipit nuk pranojnë të garojnë nën këtë kusht. Kjo ka krijuar një situatë të tensionuar mes organizatorëve dhe përfaqësuesve të Kosovës.
Dhjetëra karateistë rrezikojnë të mos garojnë
Goditja është veçanërisht e madhe për karateistët kosovarë, që janë dhjetëra në numër. Shumica prej tyre kanë udhëtuar me autobusë për në Spanjë, një rrugëtim që ka zgjatur mbi 40 orë, duke përballuar lodhje dhe sakrifica të mëdha. Tani, pas gjithë kësaj përpjekjeje, ata rrezikojnë të kthehen pa garuar fare, nëse kërkesa e organizatorit nuk ndryshon.
Reagime dhe pritshmëri
Delegacioni kosovar ka njoftuar se do të qëndrojë i palëkundur mbi parimin e paraqitjes së simboleve shtetërore. Situata pritet të vendoset në orët në vazhdim, ndërsa komuniteti sportiv kosovar ndjek me shqetësim zhvillimet në Spanjë. /GazetaExpress/