Objektet e lëna pas dore në Prishtinë, Halil Gashi zotohet për rivitalizimin e tyre si asamblist i ardhshëm me propozime konkrete - Gazeta Express
string(128) "objektet-e-lena-pas-dore-ne-prishtine-halil-gashi-zotohet-per-rivitalizimin-e-tyre-si-asamblist-i-ardhshem-me-propozime-konkrete"

Lajme

Gazeta Express

31/08/2025 10:52

Objektet e lëna pas dore në Prishtinë, Halil Gashi zotohet për rivitalizimin e tyre si asamblist i ardhshëm me propozime konkrete

Lajme

Gazeta Express

31/08/2025 10:52

Kandidati për asamblenë komunale të Komunës së Prishtinës, Halil Gashi, është zotuar se si asamblist i ardhshëm në Kuvendin Komunal të kryeqytetit do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm konkret drejt zgjidhjes së ndërtimeve të parivitalizuara.

Gashi ka evidentuar disa prej shumë rasteve të mos-rivitalizimit të objekteve në lagje të ndryshme të Prishtinës, nëpër zonat si “Rruga A”, “Mati 1” e lagja “Velania”. Kandidati i AAK-së për Asamblenë Komunale të Prishtinës i ka cilësuar si “groteske” këto ndërtesa nëpër pjesëtmë strategjike të Prishtinës.

Ai ka akuzuar asamblistët e kaluar për mos-përfaqësim të zërit të qytetarit në institucionin e Asamblesë. Ka thënë se mbi 40 për qind e asamblistëve të mandatit të kaluar s’e kanë marrë fjalën që të adresojnë një problem të Prishtinës.

“Asamblistët e kaluar nuk e kanë pasur brengë qytetarin. Kanë bë zgjidhje për vete që të merret një rrogë për katër vite. Paramendojeni, mbi 40 për qind e Asamblistëve të Komunës së Prishtinës në mandatin e shkuar as që e kanë marrë fjalën për adresimin e problemeve të qytetarëve të Prishtinës. Kjo dukuri duhet të zhduket, menjëherë! A e dini pse? Sepse vlera e një Asamblisti në Prishtinë është sa gjysma e një deputeti të nivelit nacional. Asamblisti i Prishtinës duhet ta ndjejë përgjegjësinë e një deputeti! Prishtina meriton zë, qytetarët e Prishtinës meritojnë përfaqësim!”, ka deklaruar pos tjerash ai.

Ai, si asamblist i ardhshëm i Komunës së Prishtinës, ka prezantuar disa propozime konkrete drejt zgjidhjes së problemit të objekteve të parivitalizuara në kryeqytet:

1. Ndryshimet në Asamblenë Komunale të Prishtinës

Asambleja Komunale ka kompetencë të ndërhyjë duke bërë ndryshim-plotësim të akteve komunale për dhënien e lejeve ndërtimore. Me aktet ligjore të tanishme, një kompani mund të hapet me një kapital minimal, e të marrë leje ndërtimore për projekte shumëmilionëshe. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Ky është mekanizëm që i ofron garanci qytetarit për realizim të çfarëdo projekti.

2. Komisioni i veçantë i identifikimit të objekteve

Asambleja duhet të krijojë një komision të përhershëm, i cili evidenton të gjitha objektet e papërfunduara ose të braktisura në territorin e Prishtinës. Ky komision nuk duhet të mbetet thjesht formal- puna e tij është hartimi i një listë prioritare të ndërtesave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e banorëve. Çdo raport i nxjerrë nga ky komision duhet të shoqërohet me detyrime ligjore për ndërmarrjet publike përgjegjëse dhe për administratën e kryeqytetit.

3. Përfshirja e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB)

Pas evidentimit, objektet e ngecura duhet të kalojnë nën menaxhim të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), e cila merr përsipër rivitalizimin dhe mirëmbajtjen e tyre në kuptimin afatgjatë. Ky nuk është hap i pamundur – komuna tashmë ka ndërhyrë në të kaluarën në raste të ngjashme: në Ulpianë, pranë rrethit të Spitalit dhe në disa zona të tjera. Ajo çfarë mungon është vullneti dhe presioni institucional.

4. Fondi i veçantë i Komunës për rivitalizim

Duhet themeluar një fond i dedikuar për rivitalizimin e objekteve të mbetura gjysmë, ku një pjesë mund të financohet nga Komuna e Prishtinës, ndërsa pjesa e konsiderueshme mund të sigurohet edhe nga mekanizmat e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Novergjisë dhe ambasadat e shteteve mike të Kosovës, të cilat përgjatë këtyre viteve kanë dëshmuar në vazhdimësi dhe vazhdojnë të dëshmojnë mbështetjen financiare të projekteve, qoftë të nivelit lokal apo atij qëndror.