Boksierët Shigetoshi Kotari e Hiromasa Urakawa vdiqën si pasojë e lëndimeve në tru pas garave përkatëse të mbajtura më 2 gusht.
Rastet tragjike ndodhën në ringun e boksit në Japoni derisa dy sportistët vdiqën pasi garuan në të njëjtin event.
Në fillim të këtij muaji, Kotari dhe Urakawa po garonin në palestrën “Korakuen Hall” në Tokio të Japonisë, shkruan “UNILAD”, përcjell “Gazeta Express”.
Kotari raportohet se kolapsoi pasi i kompletoi 12 raunde në barazimin që e regjistroi ndaj kampionit të “Oriental and Pacific Boxing Federation”, Yamato Hata.
Ai i humbi ndjenjat pas meçit dhe u dërgua në spital për një operim emergjent.
Pavarësisht përpjekjeve më të mira të mjekëve që u përpoqën ta trajtonin hematomën e tij subdurale, një gjendje ku gjaku grumbullohet midis kafkës dhe trurit, ai ndërroi jetë tragjikisht vetëm disa ditë më vonë, të premten e 8 gushtit.
Ndërkohë, Urakawa e vuajti një humbje me nokaut në ring nga Yoji Saito dhe u dërgua në spital për një kraniotomi në një përpjekje për t’ia shpëtuar jetën.
Tragjikisht, ai po ashtu e humbi jetën të shtunën e 9 gushtit.
Si rezultat, Komisioni i Boksit Japonez njoftoi se meçet në “Oriental and Pacific Boxing Federation (OPBF)” do të reduktohen nga 12 në 10 raunde.
Në rrjetin social “X”, deri dje “Twitter”, Organizata Botërore e Boksit (WBO) iu bëri homazhe dy boksierëve, duke iu shprehur ngushëllime familjeve, të afërmve dhe miqve të tyre. /Gazeta Express