Në përpjekje për të ulur koston e prodhimit dhe për të shpejtuar procesin, Netflix ka përdorur për herë të parë efekte vizuale të krijuara nga Inteligjenca Artificiale gjenerative (AI) në një nga serialet origjinale të tij.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ted Sarandos, ka njoftuar se teknologjia AI është përdorur për të realizuar një skenë rrëzimi ndërtesash në serialin shkencor fantastiko-argjentinas, The Eternauts, raporton BBC.
Sipas tij, përdorimi i AI-së ka lehtësuar ndjeshëm punën e ekipit të prodhimit, duke e përfunduar skenën rreth 10 herë më shpejt dhe me kosto shumë më të ulët krahasuar me efektet tradicionale.
“Kostoja për atë skenë do të kishte qenë e papërballueshme për një serial me atë buxhet. Kjo është pamja e parë përfundimtare me AI gjenerative që shfaqet ndonjëherë në një prodhim origjinal të Netflix,” ka thënë Sarandos, duke shtuar se krijuesit e serialit ishin të kënaqur me rezultatin.
Bëhet e ditur se kompania gjithashtu ka raportuar një rritje prej 16% në të ardhurat e tremujorit të dytë të vitit, duke arritur në 11 miliardë dollarë, ndërsa fitimet janë rritur nga 2.1 në 3.1 miliardë dollarë. Raportohet se një pjesë e kësaj performance të mirë të platformës i është atribuuar suksesit të sezonit të tretë dhe të fundit të trillerit jugkorean Squid Game, i cili ka grumbulluar tashmë 122 milionë shikime.
Megjithatë, përdorimi i AI-së mbetet i diskutueshëm në industrinë e filmit, me kritikët që theksojnë se teknologjia përdor punën e artistëve të tjerë pa lejen e tyre dhe mund të rrezikojë vendet e punës.