Hoti i reagon Osmanit që tha se Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar: Hipokrizi, ti e Kurti e keni luftuar atë - Gazeta Express
string(113) "hoti-i-reagon-1osmanit-qe-tha-se-marreveshja-e-uashingtonit-eshte-zbatuar-hipokrizi-ti-e-kurti-e-keni-luftuar-ate"

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 13:20

Hoti i reagon Osmanit që tha se Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar: Hipokrizi, ti e Kurti e keni luftuar atë

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 13:20

Presidentja Vjosa Osmani në Institutin Hudson në SHBA e pyetur nëse Uashingtoni do të bëjë ndonjë lëvizje në raport me këtë Marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë duke e ringjallur atë, qoftë pjesërisht apo tërësisht, Osmani ia preu shkurt: “Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar”.

Për këtë deklaratë ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti, gjatë qeverisjes së të cilit u nënshkrua kjo marrëveshje, raporton Gazeta Express.

Hoti e akuzoi Osmanin për hipokrizi, duke thënë se kur kjo marrëveshje u nënshkrua, Osmani e kishte konsideruar cenim të rendit kushtetues të Kosovës.

“Asgjë e re nga Osmani, vetem hipokrizi e radhës! Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar”.

Hoti tha se Osmani këtë marrëveshje e kishte luftuar për vota dhe tha se ajo dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, s’e kanë zbatuar atë.

“Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme.  Jo, ti e Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar atë. Tani po mundohuni ta përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik”, shkroi Hoti.

Gjatë diskutimit të saj në Institutin Hudson, Osmani tha se pret nga Administrata Trump të shkojë përtej kësaj marrëveshje.

“Epo, Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por aty ku shoh më shumë potencial është të shkosh përtej Marrëveshjes së Uashingtonit. Përvoja jonë me administratën Trump është se ata janë veprues, ata i kryejnë gjërat, kështu që mendoj se ka potencial për të bërë gjëra të rëndësishme, jo gjëra të parëndësishme, jo gjëra të vogla. Po flas për gjëra të mëdha, gjëra që do të kontribuonin vërtet në paqen afatgjatë, jo në zgjidhje të shpejta, paqe afatgjatë në rajon”, tha ajo.

Sidoqoftë, më 2021-ën, Osmani deklaronte se një pikë e Marrëveshjes së Uashingtonit e kishte cenuar rendin kushtetues të Kosovës  dhe se u dëmtuan interesat strategjike.