Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka prezantuar vizionin e tij për mbështetjen sociale dhe ekonomike, duke theksuar se dinjiteti i pensionistëve dhe familjeve në nevojë nuk mund të mbrohet vetëm me fjalë, por përmes një ekonomie të fortë që krijon të hyra reale.
Përmes një postimi publik, Gjini ka bërë të ditur se platforma e Aleancës parasheh një plan të qartë për ndarjen e ndihmës së merituar sociale nga varësia e përhershme ndaj shtetit.
“Dinjiteti i pensionistëve tanë dhe i familjeve në nevojë nuk mbrohet me fjalë, por me një ekonomi të fortë që gjeneron të hyra reale”, thuhet në mesazhin e tij.
Sipas Gjinit, fokusi do të jetë te mbështetja financiare e targetuar ekskluzivisht për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për punësim dhe aktivizim të qytetarëve në tregun e punës.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e prodhimit vendor, duke e konsideruar atë motor kryesor për rritjen e buxhetit të shtetit dhe garantimin e mirëqenies afatgjatë.
“Sepse kujdesi i vërtetë social fillon aty ku sigurohet puna dhe mbrohet dinjiteti”, është një nga mesazhet kryesore të planit të prezantuar nga Gjini.
Sipas tij, ky plan synon të ndërtojë një model të qëndrueshëm ekonomik e social, që garanton mbështetje për ata që kanë nevojë dhe njëkohësisht krijon mundësi reale zhvillimi për qytetarët.