Më 1994, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shpalli 27 qershorin Ditë të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit që përjetuan shqiptarët e Çamërisë.
Në 81-vjetorin e përkujtimit të këtij krimi të tmerrshëm, asnjë manifestim nga institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës, asnjë manifestim të partive të mëdha politike shqiptare në Ballkan;
Më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë u cilësuan si gjenocid dhe u përcaktua që 15 janari të jetë Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Gjatë pesë viteve nga miratimi i kësaj rezolute, institucionet shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe partitë e mëdha politike shqiptare në Ballkan nuk kanë organizuar asnjë seancë zyrtare për përkujtuar viktimat e këtij gjenocidi.
Megjithëse është plotësisht e drejtë të përkujtohen viktimat e gjenocideve që kanë përjetuar kombet anekënd globit, por kur shoh zellin e bartësve të institucioneve tona të përkujtojnë gjenocidet e kombeve të tjera dhe injorimin e plotë të asaj që kemi përjetuar si shqiptarë, e shoh të drejtë të pyes nëse në sytë e përfaqësuesve shtetëror të shqiptarëve, gjaku i viktimave shqiptare të gjenocidit është me vlerë më të vogël se gjaku i viktimave të kombeve të tjera.