Ia paraqitën gjithë botës në mënyrë të shkurtër, por të saktë. Torino njoftoi se Ardian Ismajli është lojtari më i ri i saj, duke e prezantuar në rrjet shumë pak kohë pasi e bënë me futbollistin tjetër të Empolit, Faustino Adebola Rasheed Anjorin.
Një video më pak se 30 sekonda e gjatë, dhe një njoftim zyrtar në rrjetet sociale, me dy fjali mikpritjeje: Isma, mirë se erdhe në familje, dhe “mirë se erdhe Isma”.
Kontrata e mbrojtësit të kombëtares është dyvjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër, ndërsa rroga është e rëndësishme në një klub si Torino, dhe në situatën e sotme në Serinë A, 1.1 milionë euro në sezon, plus shpërblimet sipas objektivave të përcaktuara në marrëveshje.
Ismajli vazhdon karrierën në elitën e futbollit italian, ku më parë luajti për Spezian dhe Empolin.
Në Apenine ka luajtur gjithsej deri tani 127 ndeshje, nga të cilat 117 në kampionat dhe 10 në Kupën e Italisë, duke shënuar 3 gola e shërbyer 4 asistë.
Kontributi I tij ka qenë tepër i rëndësishëm, aq sa tek Empoli u bë edhe kapiten I ekipit duke e ndihmuar të luante në Serinë A për katër sezone radhazi.
Më herët ishte futbollist i Hajdukut të Splitit në Kroaci, duke luajtur për pesë sezone me mbi 90 ndeshje, me dy gola e dy asistë, ndërsa karrierën e nisi në Kosovë tek 2 Korriku, përcjell abcnews.
Shpresa është e madhe, që Ismajli të jetë titullar dhe tepër i rëndësishëm edhe në Torino dhe të kualifikohet për në Kupat e Europës.
Skuadra “granata” e nisi pikërisht këtë të martë grumbullimin dhe fazën përgatitore, e mbrojtësi kuqezi është tashmë pjesë e ekipit.