Sipas tre burimeve që kanë folur për agjencinë Reuters, NATO do të kërkojë nga Gjermania edhe shtatë brigada të tjera, apo rreth 40,000 trupa, për mbrojtjen e aleancës. Kërkesë kjo që vjen në kuadër të objektivave të reja për armatime dhe numra trupash që ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare pritet të miratojnë javën e ardhshme.
Duke qenë se që nga pushtimi i Ukrainës, Rusia shihet si një kërcënim i madh, aleanca është duke rritur ndjeshëm objektivat e saj të aftësive ushtarake.
Sipas Reuters, një zyrtar i lartë ushtarak, i cili ashtu si edhe burimet e tjera ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se objektivi për numrin total të brigadave që vendet anëtare duhet të ofrojnë në të ardhmen do të rritet në mes 120 dhe 130 brigada. E kjo përfaqëson një rritje prej rreth 50% nga objektivi aktual prej 80 brigadash. Ndërkohë, një burim qeveritar e ka vendosur objektivin në 130 brigada për gjithë NATO-n.
Kujtojmë se në vitin 2021, Gjermania u zotua të ofrojë 10 brigada – njësi që zakonisht përbëhen nga rreth 5,000 trupa – për NATO-n deri në vitin 2030. Aktualisht ka tetë brigada dhe është duke ngritur të nëntën në Lituani, e cila pritet të jetë gati deri në vitin 2027.
Megjithatë, sigurimi i 40,000 trupave të tjerë aktivë do të jetë një sfidë e madhe për Berlinin, pasi sipas të dhënave të ministrisë së mbrojtjes, Bundesëehri nuk e ka arritur ende objektivin prej 203,000 trupash të vendosur në vitin 2018 dhe aktualisht ka mungesë prej rreth 20,000 ushtarësh të rregullt.
Dihet se gjatë Luftës së Ftohtë, Gjermania mbante 500,000 trupa dhe 800,000 rezervistë. Ndërsa, sot, bashkë me Poloninë, ajo ka detyrën nga NATO për të siguruar pjesën më të madhe të forcave tokësore që do të jenë të parat që reagojnë në rast të një sulmi rus ndaj krahut lindor të aleancës.