string(96) "a-do-te-deshmoje-kim-kardashian-neser-ne-gjyqin-per-grabitjen-prej-10-milione-dollaresh-ne-paris"

Yjet

Gazeta Express

12/05/2025 23:01

A do të dëshmojë Kim Kardashian nesër në gjyqin për grabitjen prej 10 milionë dollarësh në Paris

Yjet

Gazeta Express

12/05/2025 23:01

Ylli i njohur Kim Kardashian do të dëshmojë të martën në një gjykatë të Parisit, një paraqitje shumë e pritur gati një dekadë pas grabitjes së saj në Francë, ku iu morën miliona dollarë bizhuteri gjatë javës së modës në kryeqytetin francez.

Dhjetë të pandehur janë në gjyq që nga fundi i prillit për grabitjen me armë në vitin 2016, ku u vodhën bizhuteri me vlerë rreth 10 milionë dollarë nga ylli televiziv dhe influencuesja.

Gjyqi ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike, me afër 500 gazetarë të akredituar.

Kardashian është e gatshme të “përballet” me grabitësit e saj në Paris, thanë avokatët e saj javën e kaluar.

“Ajo është e përkushtuar të marrë pjesë personalisht,” deklaruan për AFP avokatët francezë Léonor Hennerick dhe Jonathan Mattout, duke shtuar se do ta bëjë këtë “me dinjitet dhe guxim.”

Ajo pritet të dëshmojë në orën 14:00.

Natën mes 2 dhe 3 tetorit 2016, Kardashian, atëherë 35 vjeçe, u grabit ndërsa qëndronte në një hotel luksoz e diskret në qendër të Parisit.

Ajo u kërcënua me armë në kokë dhe u lidh me litar, ndërsa i mbuluan gojën me ngjitëse.

Avokatët nuk kanë zbuluar se çfarë do të thotë saktësisht Kardashian në paraqitjen e saj në gjykatë, ndonëse ajo ka ndjekur zhvillimet e procesit.

Gjatë asaj që shtypi francez e ka quajtur “grabitja e shekullit,” persona të maskuar u larguan me bizhuteri me vlerë miliona dollarë.

Ndër to ishte edhe një unazë diamanti që ia kishte dhuruar Kardashian-it ish-bashkëshorti i saj, reperi Kanye West, me vlerë 3.5 milionë euro (3.9 milionë dollarë).

Grabitja është konsideruar si më e madhja që ka pasur në shënjestër një person privat në Francë në 20 vitet e fundit.

Të pandehurit janë kryesisht burra në të 60-at dhe 70-at me të kaluar kriminale.

Ata kanë nofka të botës së krimit si “Omar i Vjetër” dhe “Sytë Blu”, që të kujtojnë banditët francezë të filmave noir të viteve 60 dhe 70.

“Janë një ekip i vërtetë,” tha hetuesi Michel Malecot.

“Por kanë bërë disa gabime”, shtoi ai, veçanërisht duke lënë pas ADN që lejoi hetuesit t’i identifikonin.

“Qante në mënyrë histerike” –

Aomar Ait Khedache, 68 vjeç, i njohur si “Omar i Vjetër”, ka pranuar se e ka lidhur Kardashian, por mohon të jetë truri i grabitjes.

Një tjetër i pandehur, Yunice Abbas, 71 vjeç, më pas shkroi një libër për grabitjen.

Në libër ai përshkruan se si çanta e tij u kap në rrotën e biçikletës gjatë arratisjes, gjë që bëri që ai të rrëzohej dhe të përpiqej me ngut t’i fuste përsëri sendet e vjedhura në çantë.

Hetuesit thanë se një burrë me emrin Gary Madar, vëllai i shoferit të Kardashian në Paris, kishte informuar grabitësit se Kardashian ndodhej “në territorin francez.”

Kjo akuzë është hedhur poshtë nga avokati i Madar, i cili tha se 350 milionë ndjekës në rrjete sociale tashmë e dinin se ku ndodhej ylli.

Nata e grabitjes mund të kishte shkuar krejt ndryshe nëse Kardashian do të kishte dalë në klub me motrën e saj Kourtney, një ide që e kishte shqyrtuar para se të vendoste të qëndronte në hotel, u dëgjua në gjykatë javën e kaluar.

Shoferi i saj i caktuar, Michael Madar – kompania e të cilit po i faturonte çiftit Kardashian/West deri në 400,000 euro në vit për siguri – kishte punuar pa pushim për 21 orë dhe kërkoi nga një koleg ta zëvendësonte për udhëtimin në klubin e natës.

Zëvendësuesi, Mohammed Q., dhe rojtari trupor i Kardashian, Pascal D., u kthyen me ngut në hotel pasi Kardashian u përpoq t’i kontaktonte dhe nuk iu përgjigj më kur ata e telefonuan.

“E pashë që ashensori ishte në katin e parë, ku qëndronte Kim,” tha Pascal D. në gjykatë.

Kur e gjeti, Kardashian “ishte në një gjendje të tmerrshme. Qante në mënyrë histerike”, tregoi ai.

“E pyeta çfarë kishte ndodhur, dhe ajo tha se ishte grabitur.”

Kardashian, thanë avokatët e saj, “është sinqerisht mirënjohëse” për mënyrën se si autoritetet franceze e kanë trajtuar hetimin, duke i treguar asaj “respekt dhe konsideratë maksimale”.

Ylli amerikan, shpesh i përshkruar si “e famshme për të qenë e famshme”, u bë e njohur në fillim të viteve 2000 me emisionet televizive të realitetit, përpara se të lançonte marka mode dhe të shfaqej në disa filma.

Ajo është ndër njerëzit më të ndjekur në Instagram dhe X.

Ka qenë në mesin e 100 njerëzve më me ndikim sipas revistës Time dhe ndër gratë më të fuqishme sipas revistës Fortune.

Gjyqi pritet të përfundojë më 23 maj. /GazetaExpress/