Duhet të vrasim mendjen seriozisht për gjërat për të cilat e vrasim mendjen për çdo ditë… Historia edhe mund të përsëritet, por historia përsëritet si krim, si tragjedi, shumë rrallë ose hiç fare si si veprim humanitar
Arben Idrizi
Këtë fundjavë, mbase falë rastësisë që është mbretëresha e domosdoshmërisë (ose, që të jemi më të hapur: mbase falë domosdoshmërisë që është mbretëresha e rastësisë), hasa në një libër që më bëri të vras mendjen për gjërat për të cilat e vras mendjen çdo ditë. Mund edhe të jetë formulim dhe gjendje banale, por shkoj me mendjen se pikërisht kjo është e bukura e një libri të tillë të shkruar mirë: është (le të gjejmë shprehje karahasuese sa më të këndshme) si një dorë e butë përkëdhelëse që nuk të lë të flesh atëherë kur duhet të jesh i zgjuar. Jo thjesht zgjuar: më shumë i zgjuar.
***
The Hemingway Book Club of Kosovo (Penguin, 2003), është ditari i Paula Huntley, me profesion agjente marketingu, e cila kishte qëndruar në Kosovë prej 1 shtatorit 2000 deri më fund të prillit të vitit 2001. Arsyeja e zbarkimit (po e përdorim këtë term me nënkuptimin e tij më tepër misionar) të saj në Kosovë ishte krejt rastësore, duke qenë se thjesht po vinte (e kapluar gjithsesi nga frika, pakënaqësia, dyshimet) të shoqëronte burrin e saj, Ed Villmoare, në misionin e tij të vërtetë për ndërtimin e një sistemi legal modern në Kosovë. Për çdo rast ajo ishte përgatitur dhe certifikuar të jepte mësime anglishteje për të huajt. Dhe, natyrisht, si të ishte fiksion dhe jo e vërtetë, jeta e saj do të marrë një kthesë të pabesueshme. Përmes romanit ‘Plaku dhe Deti’ ajo ua kishte mësuar anglishten (dhe jo vetëm) një grupi të rinjsh kosovarë dhe kishte themeluar kështu edhe klubin që edhe i jep titullin librit. Siç do të shkruajë në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë: «Sonte, siç kam bërë shpesh gjatë qëndrimit tim në Kosovë, iu ktheva një kopjeje të The Sun, revistës së botuar nga mikja ime Sy. Në një intervistë, James Hillman na këshillon “të zgjedhim një vend ku zemra jonë mund të lidhet me problemet e botës”. Për mua, ai vend ka qenë Kosova. Jam shumë me fat që e kam gjetur».
***
Puna e autores është e admirueshme. Por unë do të doja të përqendrohesha këtu më shumë tek disa pjesë që lidhen me Ed Villmoare, puna e të cilit, pro bono, ishte, si jurist, siç e thamë, të ndihmonte në ndërtimin e një sistemi legal modern.
Ardhja e tij në Kosovë dhe rrjedhimisht vetë misioni i tillë i Kombeve të Bashkuara, nënkuptonte përpjekjet për krijimin e një sistemi ligjor modern, me të cilin shoqëria kosovare, e sapo dalë nga lufta (ndërkohë që kishte pësuar një dekadë të shtypjes, pas një përvojeje disadekadëshe në një sistem jodemokratik), nuk kishte asnjë lidhje. Për më keq, meqë pra e sapo dalë nga lufta, jo vetëm që nuk kishte anjë lidhje me atë sistem, por kishte tendencë as të mos kishte dëshirë as vullnet të kishte lidhje.
Në pjesën e ditarit të 10 tetorit 2000, autorja do të përcjellë fjalët e tij: «Pra, vrasim mendjen, mbase nëse, pas së gjithash, ata nuk e kanë vrarë njëri-tjetrin gjithmonë, a do të mund, shqiptarët dhe serbët, me një lidership tjetër, të jenë në gjendje të jetojnë bashkë sërish? A do të mund një lidership tolerant, progresiv të nxjerrë më të mirën nga populli?».
***
Pasazhe të tilla pra më bënë të vras mendjen për gjërat për të cilat e vras mendjen për çdo ditë.
Sot, njëzet e katër vjet më vonë, më shumë se kurrë më parë, pikërisht këtyre ditëve, lidershipi ynë (krejt i kundërti i atij të cilin e kërkon ai jurist e humanist), lidershpi ynë i marrë pra gjithë ditën e lume përpiqet të nxjerrë, dhe ia dalin për mrekulli, më të keqen e popullit; lidershipi ynë i marrë për çdo ditë të shkretë të jetës sonë na flasin për luftë, përçmojnë njëri-tjetrin, injorojnë nevojat dhe të drejtat e qytetarëve, nxisin urrejtjen dhe e nxijnë jo vetëm të ardhmen e përbashkët, por edhe vetë atë përkatëse.
Historia edhe mund të përsëritet, por historia përsëritet si krim, si tragjedi, shumë rrallë ose hiç fare si si veprim humanitar.
«Ata (shqiptarët) mendojnë se Amerika do të jetë gjthmonë këtu për ta. Kam shumë frikë se interesi ynë si komb është i paqëndrueshëm. Pas së gjithash, ne jemi të famshëm për periudhën e shkurtër të kujdesit. Ne do ta braktisim Kosovën në një moment të caktuar; atëherë heronjtë e tyre amerikanë do të shndërrohen në tradhtarë amerikanë. A do të kenë shpresë atëherë? Kah kush do t’i drejtojnë sytë?», do të shkruajë autorja më 4 nëntor 2000.
Mbase dhe mund ta flemë mendjen pak sa i përket skepticizmit të saj amerikan. Por ne duhet të vrasim mendjen seriozisht për gjërat për të cilat e vrasim mendjen për çdo ditë. Çfarë mund të na ndodhë nëse e humbim përkrahjen dhe dashurinë e atyre që na kanë shpëtuar dhe na e kanë krijuar këtë shtet që s’do të kishim mundur kurrë ta krijojmë vetë, atyre që kërkojnë prej asaj dite të bëjmë çmos të nxjerrim më të mirën nga populli? Atëherë, nëse fatkeqësisht ndodh kjo, nga kush do t’i drejtojmë sytë?
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...