Parandalimi i huadhënieve grabitqare - Gazeta Express
string(36) "parandalimi-i-huadhenieve-grabitqare"

OP/ED

Gazeta Express

05/06/2024 15:09

Parandalimi i huadhënieve grabitqare

OP/ED

Gazeta Express

05/06/2024 15:09

Nëse do ta dish vlerën e parave, shko dhe përpiqu të marrësh hua”- Benjamin Franklin

Mbrojtja e çdo konsumatori nga praktikat grabitqare është një e mirë publike. Praktika grabitqare të huadhënies synojnë huamarrësit e dobët për t’iu ofruar kredi me interesa të larta, që ata nuk mund t’i përballojnë. Edukimi financiar i kredimarrësve është kolona e parë e parandalimit të këtij fenomeni.

Sa më i dobët edukimi financiar i kredimarrësve, aq më shumë përhapen fenomenet grabitqare. Grabitqarët këshillojnë se: “Në një botë ku ka shumë peshq/kredimarrës të paditur – bëhu peshkaqen”. “Fishing/peshkim” quhet procesi që po shkakton mijëra viktima kudo në botë. “Peshk” konsiderohet çdo huamarrës i painformuar, i pandërgjegjësuar dhe i papërgjegjshëm për risqet e rënda të kredive me interesa shumë të larta. Për të parandaluar dhe ndëshkuar abuzimin e kredidhënieve grabitqare kërkohet ndërhyrje rregullatore, mbikëqyrje efektive dhe masa penalizuese. Një kredi klasifikohet si grabitqare kur konstatohet se huadhënësi nga tregu formal apo individë në tregun informal, në momentin e miratimit të kredisë apo “ristrukturimin” e saj ka bindje të qartë se kredimarrësi “do të bie në grackën e borxhit të papagueshëm. Për të rritur përfitimet grabitqarët, ata i kreditojnë/ushqejnë “peshqit” e tyre me kredi ristrukturuese me norma interesi akoma më të rënda. Ata e bëjnë këtë jo për të lehtësuar pagimin e kredisë, por për ta bërë praktikisht të pamundur kthimin e saj. Interesat e interesave e rritin borxhin me ritme galopante. Një huadhënës grabitqar informal (i palicencuar) në Britaninë e Madhe theksonte se: “Sa më keq të jenë të tjerët, aq më mirë është për mua”. Sepse të gjitha ata që do të ishin keq, do të ishin huamarrësit e tyre duke pranuar të gjitha kushtet e imponuara nga grabitqari. Ky biznes rritet kur ka rritje të inflacionit, i cili godet shtresat në nevojë, të cilat janë në pamundësi të përballojnë kërkesat kritike, ushqimet, energjinë, ujin, këstet e shkollimit, këstet e kredive në banka e etj.. Huadhënësit grabitqarë fitimet i kanë kryesish nga interesi i interesave të kësteve të papaguara. Barra e interesave tek disa IFJB arriti deri në 262%.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në vitin 2022 vendosi një kufizim/ tavan jo më shumë së 50% të normës efektive të fitimit. Pjesë e mbikëqyrjes duhet të jenë edhe praktikat abuzive me tarifat e shërbimeve të njohura dhe të panjohura, që rritin ndjeshëm koston totale të kredive. Aktualisht debati publik është fokusuar tek IFJB, por në shumë vende edhe të zhvilluara “peshkaqenët grabitqarë” veprojnë akoma më rrezikshëm në tregun informal. IFJB kanë ekzistuar për shekuj duke filluar me dyqanet e pengjeve dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë si mundësi financimi. Për këtë duhet të përshpejtohen proceset rregullatore dhe mbikëqyrëse me efekt parandalues të huadhënieve grabitqare. Prandaj çdo dobësim i IFJB nga krijimi i një ambienti vlerësimi kryesisht negativ, do të shtojë tregun informal. Ndërsa mbyllja e të gjitha IFJB, qëndrime që shfaqen herë pas here, nuk do ta zgjidhte problemin e huadhënieve grabitqare, pasi të gjithë këta klientë të IFJB do t’i “dhuroheshin” tregut të grabitqarëve informalë.

Kemi vetëm një opsion, duhet të zgjerojmë alternativat e kreditimit në ekonomi dhe të parandalojmë e penalizojmë praktikat grabitqare edhe në tregun informal. Në tregun informal është grabitqar: (1) çdo huadhënës privat që kërcënon me dhunë për të mbledhur një borxh; (2) çdo huadhënës që ngarkon norma interesi shumë të larta dhe (3) çdo bos i krimit të organizuar që financon rritje të huadhënieve grabitqare. Është koha që organet e luftës kundër krimit ekonomik të përfshijnë hetimin e huadhënësve privatë. Ne kemi jo pak raste vrasjesh për borxhe private të pashlyera.

Analiza e situatës aktuale nuk mund të jetë vetëm bardh dhe zi. Efektet pozitive të IFJBve përfshijnë: financimi për shtresat shoqërore që nuk kanë akses për të marrë kredi në banka. IFJB ofrojnë mundësi financimi në zona gjeografike dhe sektorë kritikë, ku bankat tregtare nuk preferojnë të ofrojnë financim. IFJB lehtësojnë financim për inovacionet që nisin si ide të suksesshme; ato ofrojnë një gamë më të gjerë produktesh financiare, duke lejuar më shumë mundësi investimi dhe financimi. IFJB kanë risqe potenciale më të mëdha se bankat.

Kjo, sepse kanë burime financimi me kosto më të rëndë dhe veprojnë në zona dhe biznese me risk më të lartë. Meqenëse IFJBtë janë më pak të rregulluara se bankat, dështimet e tyre mund të përbëjnë rrezik për sistemin financiar. IFJB-të mund të kenë standarde më të dobëta të mbrojtjes së konsumatorit në krahasim me bankat, prandaj është jetik edukimi financiar i popullatës. Produktet financiare komplekse të ofruara nga IFJBtë mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga konsumatorët. Dinamikat në zhvillim e IFJB-ve mund ta bëjnë të vështirë për rregullatorët që të mbajnë ritmin e tyre.

Çdo krizë rekomandohet të shikohet si një mundësi. Vënia nën autoritetin e bankave qendrore të IFJB u imponua pas krizës financiare 2008. Raportet rregullim/derregullim, shpejtësia e lartë e novacioneve të produkteve financiare të IFJB në raport me shpejtësinë e mbikëqyrjes së tyre – krijojnë premisa për praktika kredidhënëse të gabuara deri grabitqare. Pas situatës së identifikuar, duhet të ndërtojnë strategjitë e mbrojtjes së kredimarrësve bazuar në tri shtylla kryesore: parandalimi, edukimi i huamarrësve dhe efikasitet nga institucionet përgjegjëse. Kërkohet parandalimi dhe penalizimi në kohë i pasojave negative që mund të krijojnë normat shumë të larta të interesit. Barra e borxhit nga interesat shumë të larta dhe çdo element tjetër abuziv rrit ndjeshëm totalin e kostos së huamarrjes. Huadhënësit jobankë kanë praktika më të rrepta të mbledhjes së detyrimeve se bankat.

Kurthi i borxhit është risku me shqetësues, sidomos kur ai ka qenë qëllimi final i huadhënies. Aktualisht me të drejtë, opinioni publik është fokusuar te huadhënësit e licencuar, por akoma më shqetësues janë huadhënësit privatë, që iu ofrojnë hua shumë individëve me interesa shumë më të larta.

Në tregun informal “peshkaqenët” grabitqarë e bëjnë mbledhjen e borxheve me mënyra deri kriminale. Cath Wohlers, gazetare BBC-së, në 2023 paralajmëronte se: “Ata/peshkaqenët absolutisht do t’iu thajnë gjakun. Thjeshtë nuk ia vlen”. Kredimarrësit që nuk i kuptojnë politikat e interesave, tarifave dhe penaliteteve të moskthimit në kohë, përpara se të firmosë një kontratë huamarrje duhet të kërkojnë këshilla profesionale. Kredimarrësit mund të mbrohen më mirë edhe nga ndalimi i reklamave mashtruese. Zbatimi i rregulloreve të drejta për mbledhjen e borxhit mund të ndihmojë në mbrojtjen e huamarrësve nga presionet abuzuese.

Rregullimi i tregut formal të mikrokredive, shoqatave të kursimeve dhe çdo IFJB duhet të reduktojë tregun informal. Vendimmarrjet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë lidhur me tavanin e interesave, tavanin e tarifave dhe të tavanin maksimal të pagesës ndaj kredive të marra, do të kenë efekt pozitiv në mbrojtjen e konsumatorëve. Ndërhyrjet, Ministrisë së Drejtësisë në kuadër ligjor të kontratave dhe qartësimin e të drejtave dhe kufizimeve të huamarrësve dhe përmbaruesve janë të domosdoshme dhe të dobishme.

* Ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement